Trofeu i Conference League do të ekspozohet në Sheshin Skënderbej. Ja kur mund ta shikoni

Trofeu i UEFA Conference League qe do t’i dorëzohet fituesit të finales së 25 majit Roma-Feyenoord, do të ekspozohet ditën e nesërme në Sheshin Skënderbej.

FSHF bën me dije se kupa do të ekspozohet për sytë kureshtarë dhe mediat në orën 10:45 dhe në këtë ceremoni mes disa personaliteteve do të marrin pjesë edhe presidenti i FSHF, Armand Duka dhe ambasadori i finales, Lorik Cana.

Prezantimi i trofeut të tretë më të rëndësishëm të futbollit të klubeve europiane, do të jetë i hapur për publikun që do të ketë mundësinë ta shikojë nga afër trofeun që do të jepet për herë të parë pikërisht në kryeqytetin shqiptar.