Pa kandidatë edhe në raundin e dytë, në 18:00 mblidhet Kuvendi

Deputetët do të mblidhen sot në Kuvend për të konfirmuar se raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit është djegur.

Raporti i përgatitur nga komisioni i ligjeve paraditen e sotme do të hidhet në votim në seancën e pasdites.

Gjatë negociatave PS pranoi propozimin e Alibeajt që në të dy raundet ku kërkohet shumica e cilësuar prej të paktën 84 vota në kuvend propozimet të mbërrijnë nga opozita.

Në mbledhjen e së enjtes të grupit PD, Alibeajt iu përgjigjën 26 deputetë që propozuan tetë emra si kandidatë për president.

Që një kandidat të përfshihet zyrtarisht në garë i duhet mbështetja e 20 deputetëve, por grupi i deputetëve të Alibeajt duket se nuk gjeti dakordësinë që të mbështesë një emër prej atyre të bërë publik.

Ndërkohë mundësia që kandidaturat e Alibeajt të mbështeteshin nga firmat e PS-së u shuan nga Taulant Balla.

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë parlamentare, më pas të nesërmen do të mblidhet konferenca e kryetarëve për të caktuar se kur do të jetë data e raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit.