Polemika në Itali, Roma kërkon një ditë pushim më shumë përpara nisjes për në Tiranë

Nuk humbet asnjë moment Jose Mourinho për t’u bërë protagonist në Serie A. Pas polemikave për arbitrimin në transfertën e Firenzes, trajneri portugez ka hapur një tjetër kapitull.

Ai kërkon që Liga Italiane e Futbollit të tërheqë me 24 orë ndeshjen e Torinos, e planifikuar për t’u luajtur në datën 22, vetëm 3 ditë përpara finales së Tiranës. Për momentin Liga nuk i ka dhënë të drejtë ndërsa Torino kërkon që kalendari të mos ndryshojë por luzitani këmbëngul që të ketë në dispozicion 24 orë më shumë në një kohë që skuadra kundërshtare, Feynoord do të stërvitet në një lokalitet turistik të Portugalisë.

Aktualisht, Roma është në garë edhe për vendin e pestë në Serie A ku momentalisht qëndron skuadra e Lazios me 3 pikë më shumë dhe përveç finales së Tiranës, verdhekuqtë duhet të mendojnë për 180 minutat e ngelura të kampionatit.