Baleti i Kievit në Teatrin e Parisit

Baletit të qytetit të Kievit i është ofruar qëndrim në Teatrin “Châtelet” të Parisit. Trupa prej 37 balerinësh e cila ishte në turne në Francë me "The Nutcracker" e gjeti veten të bllokuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe artistët shprehën dëshirën e tyre të qëndronin në Paris, të sigurt.

"Kur mësova se baleti i Kievit ishte në Paris dhe, natyrisht, se nuk do të mund të nisej për në Kiev, të gjithë u mobilizuan menjëherë për të thënë: "Kemi nevojë për një zgjidhje. Duhet të bëjmë diçka". Dhe unë thashë me vete, në fakt, "ajo që duhet të bëjmë është t'u ofrojmë Chatelet-in si një teatër në rezidencë", tha kryebashkiakja e Parisit dhe kandidatja për president, Anne Hidalgo.

Balerinët që gjetën strehë në kryeqytetin francez,do të vazhdojnë me provat dhe shfaqjet e tyre në të gjithë Francën.

"Kjo është shumë, shumë kohë e vështirë për ne. Nuk i gjej fjalët, nuk e prisja fare këtë, por ju tregoni se bota mund të jetojë dhe të dashurojë realisht në paqe. Faleminderit shumë, shumë" tha Ivan Kozlov, drejtor i Baletit të Qytetit të Kievit.

Ndërkohë, në Paris është organizuar edhe një koncert bamirësie në mbështetje të popullit ukrainas. Mes interpretuesve ishin edhe këngëtarja dhe njëkohësisht ish zonja e parë e Francës, Carla Bruni, Indochine, Jane Birkin dhe Angélique Kidjo. Të ardhurat e koncertit të titulluar "Bashkohuni për Ukrainën", do të shkojnë për të ndihmuar vendin në krizën humanitare.