16 shkurti i ‘pushtimit’ të Ukrainës, presidenti Biden ende i shqetësuar, Moska e Kievi jo

Sot në ditën e pushtimit, të paktën sipas lajmeve që u përhapen nga mediet amerikane e britanike, situata në Kiev e Moskë është e qetë. Ministria ruse e Mbrojtjes po ashtu ka njoftuar se ka tërhequr trupat dhe tanket nga Krimea.

Të premten e kaluar, perëndimi përhapi lajmin e pushtimit rus të mërkurën, të cilën as Kievi dhe as Moska nuk e besojnë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar tërheqjen e trupave dhe tankeve nga zona e Krimesë, pas përfundimit të stërvitjes ushtarake.

Në Kiev, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i ka bërë thirrje popullit që të valëvisin flamurin dhe të këndojnë himnin kombëtar gjatë së mërkurës duke ironizuar perëndimin.

Edhe presidenti Putin qeshi me ditën e pushtimit një ditë më parë duke mohuar kategorikisht një plan sulmi ndaj Ukrainës.

Por Shtëpia e Bardhë ende nuk bindet.

Presidenti Biden doli në konferencë për mediet ku tha se kërcënimi rus ishte ende aktiv dhe se nuk përjashtohet ndonjë pushtim së shpejti.

Po ashtu sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se pushtimi mund të fillojë gjatë javës.

Shtëpia e Bardhë dhe Gjermania kanë njoftuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në rendin e ditës.

Ky lëshim do të rehabilitonte situatën e tensionuar, pasi mosanëtarësimi i Kievit në NATO dhe moszgjerimi i Aleancës në lindje janë kërkesat kryesore të sigurisë së Moskës.