Aktivistja Ruko: Ja cila është problematika më e madhe e shqiptarëve

Së fundmi është marrë një tjetër nismë për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetje shtresave në nevojë. “Karta Sociale”, është aktualisht vetëm në fazën e informimit të qytetarit e më pas kjo nisëm pritet të shkojë në parlament për të kaluar me qëllim të kthehet në ligj, për të folur më shumë për këtë pasditen e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV Ora ishin të ftuar dy aktivistët e Organizatës  Politike Jani Marka dhe Mirela Ruko.

Markaj e nisi bisedën në studio duke treguar idenë sesi lindi kjo nismë dhe se çfarë çështjesh trajton ajo.

 Sipas tij, në “Kartën Sociale” ndodhen 12 çështje, të cilat prekin pjesën më të madhe të shoqërisë.

“Ne kemi 10 vite që merremi me aktivtete, me nisma të ndryshme, si nisma studentore, etj. “Karta Sociale” është një kartë me të cilën kërkojmë të drejtat tona. Në të gjenden 12 pika, si shërbimet publike, të drejtat e punëtorëve, çështjet e gruas dhe barazisë gjinore, pagat, pensionet, etj. Të gjitha këto kemi si synim mos të mbesin vetëm si vizione për ne, por t’i realizojmë ato”, u shpreh Markaj.

Më tej, Ruko tha se kjo nismë nisi në kryeqytet përpara 3 muajsh, dhe është, njohur për qytetarët në 13 qytete të Shqipërisë.

“Këtë fushatë e kemi filluan në Tiranë para 3 muajsh dhe më pas kemi shkuar në 13 qytete, për të prezantuar idenë tonë dhe zhvilluar një bashkëbisedim për të drejtat që ne kërkojmë”, u shpreh Ruko. 

Marka, teksa foli për gjithë eksperiencën e tij në takim me qytetarët, u ndal në rastin e 40-vjeçarit nga qyteti bregdetar i Durrësit.

“Ditën e diel ishim në qytetin e Durrësit ku mbyllëm edhe aktivitetin tonë në takim me qytetarët. Ndjemë një trishtim kur dëgjuam ata. Ishte një rast ku kishte fëmijën 40 vjeç me aftësi të kufizuara dhe shqetësohej kush të kujdesej për të, pasi prindërit e të cilit ishin vetë të moshuar. Ka pafund probleme të tilla, ndaj mendoj se është një detyrim shoqëror që të ndihmojmë këta njerëz. Duhet të ngrihemi për të mirën e tyre dhe të secilit prej nesh”, tha ndër të tjera Markaj.

 Të pyetur sesi ishte mënyra e përzgjedhjes së këtyre tematikave për t’i përfshirë në “Kartën Sociale” Ruko, u shpreh se kjo zgjedhje ndodhi në bazë të nevojave thelbësore  të njeriut.

“Kur menduam për çështjet pamë çfarë ne kemi më shumë të nevojshme. Nëse ne përfshimë strehimin, padyshim që është një çështje që na prek të gjithëve, apo rasti i arsimimi, e plotë tematika të tjera”, u shpreh ndër të tjera Ruko.

Në fund të emisionit Marka u shpreh se “një ndër problematikat më të mëdha dhe shqetësuese për qytetarët, është pikërisht çështja e pagës minimale”.