Belshi mes covid dhe gripit, mjekët: Shkelja e masave shtoi pacientët, rreth 60 vizita në ditë

Rreth 60 vizita në ditë kryhen në qendrën shëndetësore në Belsh. Mjekët thonë se qytetarët paraqiten me shenjat e gripit, por një pjesë e tyre rezultojnë më covid. Rritjen e infektimeve bluzat e bardha e lidhin me mosrespektimin e masave anticovid.

Belshi po vuan nga numri i lartë i infektimeve me covid por edhe nga përhapja e gripit sezonal.

Mjeku Erjon Gjoshi thotë se në qendrën shëndetësore, në 24 orë kryhen rreth 60 vizita  me shenjat e gripit.  Ky rëndim i situatës sipas bluzave të bardha  vjen për shkak  mos mbajtjes së distancës dhe maskave.

"Në lidhje me situatën e virozave dhe gripale kemi një shtim të këtyre sidomos me personat që kanë ardhur nga jashtë shtetit. Janë paraqitur pranë urgjencës pothuajse 50-60 vizita në ditë që kanë të bjënë kryesisht me temperatura të larta," tha mjeku.

Paralelisht me infektimet, rritje është vënë re edhe te aplikimet për  të kryer vaksinën anticovid. Kjo menjëherë pas urdhrit të Qeverisë për imunizimin e punonjësve  në administrata publike, supermarkete dhe qendra tregtare.

"Paralelisht me kufizimet që ka vendosur qeveria për pajisjen me "green card" në disa institucione dhe ndërmarrje private ka pasur një shtim të vaksinimeve me dozë të parë dhe paraqitjen e vaksinave të atyre personave që janë rezident jashtë vendit. Këto po hidhen të gjitha në sistemin e-Albania," tha mjeku.

Aktualisht Elbasani ka 1502 qytetarë aktiv me koronavirus, ndërsa në të gjithë vendin numri  qytetarëve që janë të infektuar është 21,167.