"Lamtumirë profesor Zani", shuhet ikona e futbollit shkodran: Do të mbahet mend gjithmonë!

Një lajm i kobshëm tronditi këtë të shtunë futbollin shqiptar. Ikona e futbollit shkodran Ramazan Rragami ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare. Ish-mesfushori i shquar i Vllaznisë dhe ekipit kombëtar, vuante nga një sëmundje e rendë, të cilës nuk mundi ti mbijetonte dot. 

Gjatë karrierës së tij të gjatë nga 1960-1978, ai fitoi dy herë titullin kampion me Vllazninë si futbollist dhe një herë e fitoi trofeun prestigjoz si trajner po me fanellën e Vllaznisë. Gjithashtu ai veshi edhe fanellën e partizanit, ndërsa ka grumbulluar 20 ndeshje me kombëtaren.

Gjithashtu ai ishte vlerësuar me titullin mjeshtër i madh.

Presidenti i FSHF-se, Armand Duka, e cilësoi Rragamin si një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar.

“Të dashur miq,

U trishtova pa masë kur mësova pak minuta më parë se Rramazan Rragami është ndarë nga jeta. Rragami do të mbahet mend dhe do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të mëdha të futbollit shkodran dhe atij kombëtar.

Pas një karriere të shkëlqyer si futbollist me Vllazninë ai arriti suksese shumë të madhe si trajner. Historik do të mbetet kontributi i tij në krah të Shyqyri Rrelit në sukseset e Shresave ne 1978 dhe 1981 ku arritën të shpallin Shqipërinë kampione Ballkani.

Si trajner i parë ai arriti suksesin më të madh në historinë e Shpresave, duke arritur ta dërgojë Shqipërinë në çerekfinalet e Kampionatit Europian.

Në këtë moment të vështirë për familjen e tij dhe gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, dëshiroj t'i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragami”, shkruan Duka.

Ndërkohë klubi i futbollit Vllaznia shkruan:

“Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare legjenda e futbollit Ramazan Rragami. Kjo padyshim që është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për KF Vllaznia dhe gjithë futbollin shqiptar. Ju bëjmë me dije, se ditën e diele, në ora 10.00-13.00 KF Vllaznia, së bashku me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Futbollit do të organizojnë homazhe në hollin e stadiumit “Loro Boriçi” në nderim të tij. Lamtumirë profesor Zani”, thuhet në komunikatën e Vllaznisë.

"Lamtumirë profesor Zani", shuhet ikona e futbollit shkodran: Do