Rinis Abissnet Superiore, Skënderbeu ndal Laçin në një barazim pa emocione
Pas pesë fitoreve radhazi, Laçi ndal hovin në Superiore. Ndoshta duhej të ndërpritej disi kampionati që kurbinasit të ndalnin ecurinë fantastike dhe një gjë të tillë arrin ta bëjë Skënderbeu.
Skuadra e Memellit bëri një paraqitje tepër pozitive e gjithashtu edhe Laçi madje në fund vendasit edhe mund ta kishin fituar sfidën.
Në përgjithësi ishte një ndeshje shumë fizike dhe e ekuilibruar ku në fraksionin e parë rastet e pastra për shënim ishin të pakta.
Pjesa e dytë ishte me një ritëm më ndryshe edhe pse të dyja ekipet preferonin të mos prishnin ekuilibrat në fushë ndaj dhe shkëndijat e forta munguan.
Rastin më të mirë të ndeshjes e pati Skënderbeu me Mensah në 85 në një rrëmujë në zone por edhe aty fati ndihmon kurbinasit. Në fund një barazim pa gola që ndoshta gëzon të dyja skuadrat që e nisin me nga një pikë fazën e dytë të kampionatit./Ora News/.
