Thellohet skandali në Britani/ Stafi i Johnson akuzohet se ka organizuar festa gjatë karantinës

Stafi i kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson është akuzuar se ka organizuar festa brenda selisë qeveritare gjatë vitit 2020, kur i gjithë vendi ishte në izolim të plotë për shkak të Covid-19.

Stafi i kryeministrit dyshohet se ka organizuar dy festa të tjera mes 9 dhe 17 prillit, kur vendi ishte në periudhë zie kombëtare për shkak të vdekjes së Princit Philip.

Mediet britanike raportojnë se tubimet festive në selinë kryeministrore përbëheshin nga rreth 30 persona që pinin alkool dhe kërcenin nën muzikë deri në orët e para të mëngjesit.

Kufizimet në atë kohë ndalonin grumbullimet në ambiente të mbyllura edhe ndërmjet familjeve të ndryshme.

Kryeministri Johnson nuk mori pjesë në asnjërën prej festave, pasi ishte jashtë kryeqytetit.

Ndaj Boris Johnson, presioni për të dhënë dorëheqjen po shtohet dita-ditës për shkak të festës me pije, që ai pranoi se kishte marrë pjesë në vitin 2020.

Skandalet e fundit kanë rritur pakënaqësinë edhe brenda radhëve të konservatorëve, duke i kërkuar kreut të ekzekutivit të japë dorëheqjen.