Gjykata e Lartë bllokon urdhrin e administratës së Biden për vaksinim të detyruar në bizneset e mëdha
Gjykata e Lartë e SHBA bllokoi të enjten urdhrin e Presidentit Joe Biden për vaksinimin ose testimin e detyrueshëm për bizneset e mëdha.
Nga ana tjetër, gjykata më e lartë e vendit la në fuqi urdhrin për vaksinim të punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Biden shprehu zhgënjim për vendimin e gjykatës duke thënë se tani u takon shteteve dhe punëdhënësve të vendosin nëse do t'u kërkojnë punëtorëve "të ndërmarrin hapin e thjeshtë dhe efektiv të vaksinimit."
Gjykata i mori vendimet pasi dëgjoi argumentet pro dhe kundër në betejën ligjore mbi urdhrat për vaksinimin e detyruar që u ndërmorën nga dy agjenci federale me synimin për rritjen e normave të vaksinimit në SHBA dhe sigurisë në vendet e punës dhe mjediset e kujdesit shëndetësor.
Gjykata ishte e ndarë në të dyja rastet. Gjykata vendosi me gjashtë vota të anëtarëve konservatorë pro dhe tre të atyre liberalë kundër, për të bllokuar vendimin për vaksinimin e detyruar në bizneset me më shumë se 100 punonjës.
Për të mbajtur në fuqi detyrimin për vaksinimin e punonjësve shëndetësore, votimi ishte 5-4, pasi kryetari i gjykatës John Roberts dhe gjykatësi Brett Kavanaugh, të dy konservatorë iu bashkuan krahut liberal.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se dy urdhrat do të shpëtojnë jetë dhe do të forcojnë ekonominë e SHBA-së duke rritur numrin e amerikanëve të vaksinuar, shkrun Reuters.
