Pesë vite pa ish-liderin komunist, Fidel Kastro - A ka ngecur revolucioni?
Pesë vjet pas vdekjes së Fidel Kastros, revolucioni që ai filloi në 1959 duket se është në ngërç, me ekonominë e Kubës në krizë dhe një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullsisë që kërkon ndryshim.
Në Havana u mbajt ceremonia përkujtimore për revolucionarin e ndjerë, ndërsa i pranishëm ishte edhe Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel dhe dhjetëra zyrtarë e qytetarë që nderuan figurën e tij.
Por çfarë ka ndryshuar në këto 5 vite?
Në Ishullin komunist janë shënuar protesta të paprecedenta vitin e fundit, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë fajësojnë shtetin njëpartiak për një sërë problemesh sociale dhe ekonomike. Shpërthimi erdhi ndërsa Kuba po përballon krizën e saj më të keqe ekonomike në 30 vitet e fundit, e vështirësuar nga sanksionet e SHBA dhe shpërthimi i koronavirusit.

"Pesë vitet e fundit kanë qenë shumë të ndërlikuara për ekonominë," tha ekonomisti kuban Pavel Vidal i Universitetit Javeriana të Kolumbisë, duke vënë në dukje një rënie prej 11 përqind të PBB-së vitin e kaluar, që nuk shënohej që nga viti 1993.
Një brez i ri kubanezësh, të ashtuquajturit "nipërit" e revolucionit, po kërkojnë liri dhe të drejta të shtuara, demokraci perëndimore dhe mundësi ekonomike. Ndryshe nga paraardhësit e tyre, brezi i ri nuk është i mahnitur nga sukseset e "Fidelizmit", ata po largohen me tufa, shpesh në Shtetet e Bashkuara.


