"Na thërrasin për të na dëgjuar dhe na tregojnë si të punojmë tokën!" Kreu i Shoqatës: Qeveria nuk njeh gjendjen reale të fermerëve

Qeveria nuk njeh gjendjen reale të fermerëve. Me këtë mendim dolën përfaqësues të tyre pas takimit e kryeministrin Rama.

Kreu i shoqatës së fermerëve, Eduart Sharka, tha për të shkuar në një zgjidhje do të kenë një takim të dytë, zyrtar.

"Mendojmë se qeveria nuk e njeh gjendjen reale të fermerëve. 30% e fermerëve sivjet nuk kanë porositur për të mbjellur sezonin e ardhshëm, se kanë tre sezone që dështojnë për shkak të krizave të tregut dhe mosorientimit nga Ministria e Bujqëësisë për çfarë duhet të mbjellin, produkte që absorvon tregu. Ramë dakord që cilësia e imputeve është e pagarantuar. Jemi të bindur se nëse ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin në konsideratë propozimet tona mendojmë se do arrijmë diçka".

Sharka tha se në takim ishte Ministrja e Bujqësisë dhe deputetë, por me shqetësim nënvizoi se qeveria edhe kur të thërret për të dëgjuar të tregon si të bësh punën.

"Ne kemi një traditë që na thërrasin për të na dëgjuar dhe pastaj na tregojnë sesi punojmë ne.Thërrasin atë që punon tokën dhe thonë ta them unë si e punon tokën ti. Kur thërret për të dëgjuar duhet të dëgjosh. Unë që kam ardhur të tregoj çfarë vështirësish kam. Kryeministri pranoi këtë këndvështrim tonin, i thamë që mirë është ta dëgjosh nga ne kontekstin real dhe pastaj krahasoje me atë që të informojnë nëpunësit e shtetit. Ramë dakord të ulemi pas disa debateve".