Anulohet tregu i Krishtlindjeve në Bavari, shkak përkeqësimi i rasteve me koronavirus
Ashtu si dy vjet më parë, përkeqësimi i situatës së me Covid-19 po detyron autoritetet të marrin masa ekstreme me anulimin e aktiviteteve të përvitshme. Në Gjermani, është anuluar një nga tregjet më të njohura të Krishtlindjeve në vend, ai Nurembergut në Bavari, pasi strukturat shëndetësore e kanë të vështirë monitorimin dhe i druhen shtimit të rasteve.
Përkeqësimi i situatës së pandemisë në Gjermani ka bërë që të anulohet një nga tregjet më të njohura të Krishtlindjeve në vend. Bëhet fjalë për tregun e Nurembergut në Bavari, i cili u anulua të premten.
Kryeministri bavarez, Markus Soder, e përshkroi situatën “shumë serioze”. Ai e arsyetoi vendimin me idenë se tregje të tilla, shumë të frekuentueshëm është e vështirë të monitoroheshin nga strukturat shëndetësore.
“Ne kemi një qëllim të qartë: të luftojmë koronavirusin, të mbrojmë njerëzit dhe sistemin e kujdesit shëndetësor. Kjo nuk është një retorikë lufte, por është një shqetësim i thellë që na detyron të veprojmë”, theksoi ai, teksa Bavaria gjithashtu ka vendosur masa bllokuese për personat e pavaksinuar.
Në zonat ku shkalla e infeksionit i ka kaluar 1 mijë persona për 100 mijë banorë brenda një jave, sipas Soder, “duhet të mbyllet gjithçka”, me përjashtim të shkollave dhe bizneseve.
Vendet publike si restorantet, kinematë dhe sallat e koncerteve do të jenë të hapura. Personat që ende nuk janë vaksinuar do të detyrohen të kufizojnë numrin e kontakteve.
Vendi po shkon drejt një emergjence serioze, njoftuan në fillim të javë autoritetet shëndetësore pasi 65 mijë e 371 persona rezultuan pozitiv brenda 24 orësh, duke konfirmuar kështu një kurbë rritëse të rasteve të reja me Covid-19.
