Zgjedhjet në Rusi/ Mbyllen votimet, Putini çimenton pushtetin sërish

Janë mbyllur votimet në Rusi, ndërsa kanë filluar të numërohen edhe kutitë e para. Sipas exitpoll-eve partia e Presidentit Putin pritet të dominojë sërish maxhorancën në Dumën ruse. Nuk kanë munguar as akuzat për manipulim të procesit zgjedhor nga kundërshtarët.

Janë mbyllur këtë të diel votime tre ditore në Rusi, ndërsa exit-pollet e para japin fituese partinë e Presidentit Putin “Rusia e Bashkuar”.

Nuk kanë munguar as akuzat për manipulim të zgjedhjeve. Komunistët rusë kanë akuzuar partinë në pushtet se po "luan me zjarrin", ndërsa taktikat e saj "mashtruese" do të nxisin opozitën të dal në rrugë.

Kreu i Partisë Komuniste Genadi Zyuganov tha se partia e tij - e cila është grupi më i madh opozitar në Duma - kishte mobilizuar 300,000 vëzhgues në të gjithë vendin dhe se ata po raportonin "shkelje të përhapura", ndër të cilat edhe akuzat për mbushje të mundshme të kutive me vota.

Më herët, një video e publikuar në YouTube nga opozitari i burgosur Alexei Navalny u bllokua në të gjithë vendin. Ai këshillonte qytetarët për votim taktik në zona të ndryshme për kandidatët më të mire, dhe kësisoj të mposhtej partia “Rusia e Bashkuar”.

Rreth 13 parti konkurruan në zgjedhje, por sipas kritikëve të Kremlinit ato shihen gjerësisht si kundërshtim simbolik që Moska e lejon. Sipas komisionit zgjedhor rus, pjesëmarrja ka qenë në kotat e 40 %.

Rusia e Bashkuar mban gati tre të katërtat e 450 vendeve të Parlamentit aktual. Saj kësaj maxhorance, Putini mundi të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese që e lejojnë të kandidojë edhe për dy mandate si president pas vitit 2024, duke qëndruar potencialisht në pushtet deri në vitin 2036./ Ora News