Shkëmbi: Duhet kohë për të parë Dinamon e vërtetë, optimist për Laçin
Abissnet Superiore vetëm sa ka ngrohur motorrët dhe këtë fundjavë luan ndalesën e dytë të sezonit. Dinamo që vjen pas një fitore 2-0 ndaj Kastriotit ka shtuar optimizmin te tifozët por në konferencën për shtyp, trajneri Bledi Shkëmbi qëndron me këmbë në tokë.
“Për të parë Dinamon më të mirë duhet ende kohë dhe nuk mund ta përcaktoj se kur do shihni fytyrën tonë të vërtetë. Gjithsesi jam i bindur që ekipi do të vijë në rritje sepse po punojmë shumë, nga stafi e të gjithë lojtarët. Do të më pëlqente të luanim në Tiranë pasi do të kishim më shumë tifozë në stadium, por e di që këto mundësi janë dhe Elbasan Arena është një fushë me një tapet të shkëlqyer që i përshtatet cilësive tona si ekip”.
Sfida ndaj Laçit është e para ndaj një rivali të fortë, pavarësisht Kastriotit në takimin e parë, dhe për trajnerin Shkëmbi, Dinamo mund ta kalojë me sukses këtë ndeshje të javës së dytë.
“Laçi është një kundërshtar i vështirë, por ne jemi Dinamo dhe për emrin e madh që kemi duhet të luajmë për maksimumin. Kam besim se do ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje. Pavarsisht se nga Laçi janë larguar disa lojtarë dhe ka ardhur një trajneri i ri, egoja dhe dëshira për të bërë mirë është arma e tyre më e fortë. Emrat ndryshojnë por Laçi është po ai ekip i fortë që mund t’i hapë probleme çdo ekipi”.
Duke folur në konferencën për shtyp, për ish mesfushorin Shkëmbi, objektivat e Dinamos janë të qartë pas investimeve të mëdha e sipas tij skuadra i ka mundësitë të luajë për titullin kampion.
