Lukashenko presion amerikanëve: Do marr trupa ruse po tentuat të më largoni nga pushteti

Presidenti bjellorus Lukashenko ka folur këtë të premte për qytetarët  duke adresuar mesazhe edhe për Perëndimin. Ai tha se do të merrte trupa ruse në vend nëse do të kishte tentativë për ta rrëzuar atë nga pushteti. Lukashenko është në pushtet që nga viti 1994.

Lideri i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka kërcënuar Perëndimin se do të marrë trupa ruse në vend nëse do të ketë ndonjë tentativë për ta rrëzuar me revolucion apo grusht shteti.

Presidenti tha se për momentin nuk ka absolutisht nevojë për të ftuar trupat ruse në vend, por nëse është e nevojshme një lëvizje e tillë për sigurinë e Bjellorusisë dhe Rusisë, ai nuk do të ngurrojë ta ndërmarrë.

Bjellorusia është në gjendje të thërrasë shpejt në armë 500,000 efektivë të personelit të saj, por "nëse nuk është e mjaftueshme, të gjitha forcat e armatosura ruse do të futen në vend", tha Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bjelloruse “Belta”. "Nëse është e nevojshme, ne nuk do të hezitojmë.", - tha presidenti Lukashenko.

Në gusht të vitit 2020 Lukashenko u rizgjodh për një mandate të gjashtë në krye të vendit, që solli edhe protesta të qytetarëve duke e akuzuar për autokrat, që ka gjithë jetën në pushtet. Ndërsa i shoi me dhunë ato protesta, Lukashenko ka akuzuar shpesh vendet perëndimore, përfshirë Amerikën, për ndërhyrje në punët e brendshme, dhe ka shpallur të padëshiruara në Bjellorusi shumë organizata ndërkombëtare.

Pas protestave të gushtit 2020, ku Rusia premtoi mbështetje ushtarake për fqinjin e saj dhe caktoi një kredi prej 1.5 miliard dollarësh, ka nisur një marrëdhënie më e afërt mes Lukashenkos dhe Putinit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të shumta që synojnë udhëheqjen Bjelloruse dhe sektorët kryesorë të ekonomisë së saj pas krizës politike që përfshiu vendin, ku lideri autoritar iu përgjigj demonstratave duke arrestuar mbi 35,000 qytetarë dhe duke rrahur me mijëra të tjerë me polici.

Lukashenko është në pushtet që nga viti 1994.