Barrierë ndaj Deltës, Izraeli nis të dielën me dozën e tretë të vaksinës

Izraeli, një nga vendet më të suksesshëm në botë në trajtimin e pandemisë,  ka vendosur të administrojë dozën e tretë të vaksinave Pfizer për fashën mbi 60 vjeç. Lajmin për nisjen e fushatës së re të vaksinimit e ka njoftuar kryeministri Naftali Bennett, pas shqetësimimeve në rritje për variantin e ri Delta të koronavirusit.

Izraeli, një nga vendet më të suksesshëm në botë në trajtimin e pandemisë së koronavrusit ka njoftuar nisjen e fushatës së vaksinimit me dozën e tretë. Vaksinimi do të fillojë të dielën, mbi baza vullnetare, për ata që janë mbi 60 vjeç dhe tashmë janë imunizuar me dy doza për të paktën pesë muaj.

“Ne po fillojmë një fushatë tjetër vaksinimi. Gjetjet tregojnë se ka një rënie të imunitetit të trupit me kalimin e kohës. Qëllimi i dozës suplementare është rikthimi i imunitetit përsëri, dhe kështu zvogëlimi i shanseve të infeksionit dhe sëmundjeve serioze në mënyrë të konsiderueshme" tha kryeministri Naftali Bennett në një fjalim para kombit në mbrëmje, pas konsultimeve të thelluara me ekspertë në Izrael dhe jashtë vendit.

Kryeministri shtoi se 2,000 njerëz me sistem imunitar të dobësuar kishin marrë tashmë një dozë të tretë pa efekte anësore të rënda.

Presidenti Isaac Herzog, i cili mbush 61 vjeç në shtator, do të jetë i pari që do të marrë dozën e tretë.

Kjo vjen në mes të një rritje të infeksioneve në Izrael dhe shqetësimit në shumë vende për variantin ngjitës Delta.

Izraeli ka raportuar gati 870,000 infeksione që nga fillimi i shpërthimit, me gati 6,500 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins të Amerikës.

Izraeli ka qenë një nga vendet më të suksesshëm në botë në trajtimin e pandemisë. Ai zbatoi programin më të shpejtë të vaksinimit, sipas të cilit mbi gjysma e popullsisë prej 9.3 milion është imunizuar pjesërisht ose plotësisht.

 Sipas një studimi ndërkombëtar, mbrojtja e vaksinës anti-Covid të Pfizer shkon nga 96,2% në 83,7% në gjashtë muajt e parë.

Efikasiteti i vaksinës, vëren studimi i botuar arrin kulmin e tij gjatë intervalit nga shtatë ditë në dy muaj pas dozës së dytë, dhe gradualisht zvogëlohet në 83,7% nga katër në gjashtë muaj, me një rënie mesatare prej 6% çdo dy muaj.