Miss Universe, Tuti Sejdiu rrëfen se u përdhunua në moshën 13-vjeçare: Më kanë trafikuar në Kosovë e Serbi

Tuti Sejdiu, 19 vjeçarja nga Gjilani mori pak ditë më parë kurorën e Miss Universe Kosova 2021.

Në një intervistë, Sejdiu thotë se kurorën ia kushton familjes së saj, pasi ata janë sakrifikuar shumë për të.

"Arsyeja që kam ardhur në Miss Universe është familja ime, kishin gjithmonë qejf të shpallesha Miss. Kam aplikuar, kam ardhur dhe nuk e besoja që do e fitoja. Kjo kurorë i dedikohet vetëm familjes time pasi gjatë jetës së tyre kanë sakrifikuar shumë për mua, e vazhdojnë që të sakrifikojnë. Jam e mërzitur sepse shoh gjithë familjen aty dhe vetëm një karrige është e zbrazët sepse mungon babai im. Është sot në burg për mua sepse ka luftuar për padrejtësinë që më kanë bërë".

Gjatë intervistës, 19-vjeçarja ka treguar se ishte vetëm 13-vjeçare ku është trafikuar nga persona të ndryshëm, në Kosovë e Serbi.

“Në moshën 13-vjeçare jam përdhunuar e jam trafikuar nga persona të ndryshëm nga Kosova në Serbi, derisa prindi jem nuk ka lanë institucion pa kërku drejtësi, ata njerëz që janë mundu me ma marrë mu jetën ata sot janë në liri, nuk janë në burg, babi vetëm pse ka kërku ndihmë për mu, nuk është pranë meje po është në burg, drejtësi nuk ka pas asnjëherë. Çka është më e rënda, babin nuk e di a është mirë, nuk e lejojnë as me na thirr në telefon, as me e pa e me i fut rroba në burg, nuk e di në çfarë gjendje mundet me kanë, unë them publikisht se unë do të luftoj për babin jo për veten, e kam me nxjerrë drejtësinë në vend”, rrëfeu ajo.

“Kjo kurorë ka vlerë të madhe për mu e ka dëshmu që unë jam femër e fuqishme e pranë familjes,  pavarësisht sfidave. Asgjë nuk më dojket e vështirë në jetë, vetëm duhet të ketë pak durim," tha ajo.

Lexo rrëfimin e plotë nga intervista për ATV:

"Në moshën 13-vjeçare jam trafikuar nga Kosova në Serbi dhe përdhunuar nga persona të ndryshëm, derisa prindi im nuk ka lënë institucion pa kërkuar drejtësi, për ata njerëz që janë munduar të ma marrin jetën dhe sot janë të lirë nuk janë në burg.

Vetëm se ka kërkuar ndihmë për mua, babai nuk është pranë meje por në burg. Vetëm që kërkoi ndihmë për drejtësi, sepse drejtësi s’ka pas asnjëherë. Më e rënda është që unë nuk e di a është mirë, as nuk e lejojnë të na telefonojë, as ti japim rroba, as ta shohim. Nuk e di a është mirë, e them publikisht se do të luftoj për babin, jo për veten dhe do e vendos drejtësinë në vend.

Të gjithë më kanë bullizuar, më kanë ofenduar dhe kjo kurorë është vlerë e madhe për mua se kam dëshmuar që jam femër e fuqishme, pranë familjes, pavarësisht sfidave që më kanë ndodhur. Njeriun e sfidon njeriu për një arsye dhe sfidon njerëzit e fortë. Për mua asgjë s’është e vështirë, vetëm do kem edhe pak durim që të vendoset drejtësia në vend.

Prej 5-6 vitesh po luftojmë për drejtësi. Personi në fjalë që mi ka bërë ato gjëra, janë familjarët e tij në ato institucione, janë të korruptuar. I bëj apel gjykatave që vendosi dorën në zemër se sot më ka ndodhur mua, nesër i ndodh fëmijës tënd. Si mundesh të ndihesh ti?

Unë jam e fortë, me mendje dhe zemër jam pranë tij. I njoh, të gjithë janë të lirë. Ai që ka qenë trafikuesi kryesor është dënuar me 3 vite burg, por nuk është marrë asnjë masë. Më kanë kërcënuar vite radhazi, më kanë ndaluar shkollimin institucionet, mi kanë ndaluar të gjitha. Këtë vit dua të filloj shkollën aty ku më ka mbetur, s’më vjen turp. Por fillimisht e kam prioritetin tek drejtësia.

Ata persona i kam përballë shtëpisë time, janë fqinj me mua. S’ka ditë dhe natë që të mos bëjnë ndonjë reagim, sepse personi që më trafikoi nuk ndodhet aty, se di ku është. S’kam asnjë informacion, familjarët e tij më provokojnë, thonë edhe gjëra të pahijshme por mundohem të shoh rrugën time e të vazhdoj përpara."