Fiter Bajrami në Kosovë e Maqedoni, besimtarët japin mesazhe paqeje dhe shprese
Besimtarët myslimanë në Kosovë e kremtuan Fitër Bajramin me thirrje për mirëkuptim dhe harmoni, për një fund të shpejtë të pandemisë.
Në Xhamitë e vendit nuk u mbajtën ceremonitë tradicionale, por ato u hapën 10 minuta para faljes dhe për Namazin e Bajramit.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se festa e veçantë islame kultivon te individi dhe shoqëria tolerancë, respekt dhe bujari pas një muaji të gjatë agjërimi.
“Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit e bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore paraqet një ndër momentet që të shërbejnë për të njohur vetën, për të mësuar drejt misionin tonë, e për ta ruajtur ekuilibrin në mes shpirtërores, përballë materiales," tha myftiu Tërnava.
Edhe këtë vit, sikurse Ramazanin e shkuar, Bajrami në Kosovë u prit mes pandemisë së Covid-19 e cila ka lënë pasoja në çdo aspekt.
“Edhe këtë ramazan sikur ramazani i vitit të shkuar e rrjedhimisht edhe këtë Bajram po e presim të përballur me pandeminë Covid-19 e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshët. Në këtë ditë feste kujtojmë me rahmet të gjitha ata që kaluan më herët, duke lutur, duke lutur krijuesin që t’i mban në mëshirën e tij, ndërsa të infektuarit të gjejnë shërim sa më parë. Ne sot kemi festë dhe bashkërisht kemi për të shijuar festën e Fitër Bajramit por duhet të kemi kujdes dhe të jemi të vëmendshëm se virusi ende është në mesin tonë, andaj apeloj tek ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njëri tjetrin. Ju ftojë që të bëni kujdes edhe në vizita tradicionale të Bajramit me të afërmit," tha myftiu Tërnava.
Edhe pse Bashkësia Islame u kishte kërkuar besimtarëve të Kosovës të respektonin masat dhe distancat prej virusit, shumë qytetarë u panë të shtrëngonin duart për të uruar njëri-tjetrin ndërsa një pjesë, nuk kishin as maskat.
Shumë qytetarëve u kishte munguar falja e Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
"Bajrami ka gjithë herë ndjenjat e veta, kështu që është një ndjenjë e veçantë po për arsyeje të pandemisë vitin e kaluar nuk kemi mundur me ardh në xhami, kësaj radhe erdhëm por edhe kësaj radhë ka pak me atë distancën e kështu por prapë se prapë e pamë një kënaqësi me që kem prezent në xhami...urime Bajrami të gjithëve festofshim edhe shumë Bajram tjerë të lumtur jo si ky sot po siç e kemi festuar gjithëherë", tha qytetari.
"Për shkak të situatës që ishte se gjithë e kemi falë edhe gjithçka ka shkuar në rregull, pasi është për krejt botën edhe për neve që na ka ndal pak po faleminderit që mbërritëm që edhe me kaluar pak Fitër Bajramit, na e kemi agjëru, edhe ata që nuk e kanë agjëru Zoti u mbusht mendjen edhe atyre për me agjëru, pa e agjëru ramazanin nuk është mirë," tha qytetari.
Fitër Bajrami u fal edhe në xhaminë e Mustafa Pashës nga myslimanët e Maqedonisë së Veriut, me mesazhe në gjuhën shqipe dhe maqedonase, edhe nga kreu Shaqir Fetahu, kreu i Bashkësisë Fetare Islame.
"Andaj, sot po i drejtohemi të Madhit Zot me lutje të pranojë agjërimin tonë, ibadetet tona, duatë tona, lëmoshat tona, të gëzojë zemrat e të gjithë njerëzve anembanë globit, t’i shpëtojë dhe t’i ngritë të dobëtit, t’i pajtojë zemrat e njerëzve me qëllim për të jetuar në paqe e harmoni, t’i shërojë zemrat dhe plagët e familjeve të viktimave që solli sëmundja e rrezikshme dhe të forcojë unitetin tonë për të mirën e familjeve tona, popullit tonë dhe gjithë gjinisë njerëzore," tha qytetari.