Pashkët ortodokse në kushte pandemie, mesha u zhvillua në mëngjes për shkak të orës policore
Besimtarët ortodoksë kremtuan në Tiranë ringjalljen e Jezu Krishtit. Të shumtë ishin ata që ndoqën meshën e zhvilluar mëngjesin e së dielës në katedralen ortodokse pasi në mbrëmje shërbesa fetare nuk lejohej për shkak të orës policore. Aktiviteti është zhvilluar nën masa anti- Covid edhe pse ka qenë e pamundur të evitohen grumbullimet.
Besimtarët ortodoksë kremtuan të dielën ringjalljen e Jezu Krishtit.
Mesha e pashkëve në Tiranë, ndryshe nga herët e tjera ku fillonte gjatë mesnatës, u zhvillua në mëngjes në katedralen ortodokse për shkak të orës policore.
Pavarësisht se një vit më parë u ndaluan të gjitha ceremonitë fetare si pjesë e masave ndaj përhapjes së koronavirusit, të dielën dhjetëra qytetarë u lejuan brenda kishës për të ndjekur ritet në respektim të masave anti-Covid.
Duke parë situatën që po kalon njerëzimi në pandemi, qytetarët e shohin besimin në Zot si shpëtim.
"Të çojmë dritën në shtëpi."
"Kjo gjendja e pandemisë na shqetëson, të tjerat janë më mirë akoma."
Ringjallja e Krishtit simbolizon shpresën, ndaj atë Grigor Pelushi jep një mesazh për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë.
"Pashka është ngjallja e Zotit tonë Jezu Krisht, është fitorja e jetës mbi vdekjen, fitorja e të mirës mbi urrejtjen, fitorja e dashurisë mbi gjithë të këqiat që ne na shfaqen në forma të ndryshme në këtë botë. Ne kemi nevojë si shoqëri shumë që të falim.
Nuk mund të ndërtohet një marrëdhënie, qoftë në familje, qoftë në miqësi, njerëzit e afërt, në vendin e punës, nëse ne nuk ofrojmë faljen ndaj njëri-tjetrit. Mesazhi që na përcjell gjithashtu kjo festë e madhe është bukuria dhe rëdnësia e jetës. Çdo njeri që ka ardhur në këtë botë nuk ka ardhur rastësisht, secili ka një qëllim."



