Krujë, sherri përfundon me plagosje, 61-vjeçari transportohet më spitalin e Traumës

Një sherr me pasojë plagosjen e një shtetasi ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Krujë.

Gjatë një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë një 61-vjeçar, Arben Dedja i cili  ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.  

"Më datë 01.05.2021, rreth orës 18:50, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore  shtetasi A. D., 61 vjeç, banues në Krujë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe  ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit për kapjen e autorit." - njofton policia.

Ndërkohë, në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë sekuestruar pamjet filmike për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.