Kurti uron Ramën: Të punojmë së bashku, shpresoj të mos i preket asnjë votë askujt
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar kryeministrin Rama për fitimin e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.
Kurti shkruan në Facebook se Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzon Ramën për rezultatet.
Kurti: Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t'i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.
Kurti shton se shpresojë që institucionet të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës.
Kurti: Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku.
Mes kryeministrit Kurti dhe atij Rama ka pasur shpeshherë përplasje në distancë për shkak të qëndrimeve të dy krerëve të shteteve shqiptare.



