Kullat rrezikojnë Monumentet, specialistët japin alarmin në ditën ndërkombëtare

Në ditën ndërkombëtare të monumenteve dhe siteve studiuesit ngrenë alarmin për shkatërrimin dhe zhdukjen e tyre bashkë me një pjesë të historisë shqiptare.

Arkeologu, Neritan Ceka, thotë se ndryshe nga vendet e tjera të botës, politikbërësve u ka humbur dashuria për vlerat historike.

"Sepse nuk kanë dashuri, ai njeri që nuk është patrtiot, që kur ka lindur të ketë parë Dajtin përballë nuk mund të ndërtojë në Tiranë. Duhet ndaluar ky masakrim me emra njerëzish të mëdhenj që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë," tha Ceka.

Ceka shprehet se betonizimi dhe kullat e ndërtuara po zhdukin gjithnjë e më shumë gjurmët e Tiranës së vjetër.

"Shkoni në sheshin e Tiranës dhe do gjeni gjithsej 100 veta me gjithë ato investime, shkoni tek Toptani, te Kalaja do keni 1000 vetë dhe kjo është e ardhmja e Tiranës. Nuk kanë kullat, nuk janë çudi që bëhen me investime gjigante. Është të financohen familjet, veçanërisht familjet tiranase," tha Ceka.

Shembja e Teatrit Kombëtar cilësohet si një tjetër humbjen e madhe për pasurinë muzeale dhe monumentare në vend.

Aktori Neritan Liçaj thotë se situata ku ndodhemi vjen si pasojë e filozofisë së partneritetit publik-privat dhe privatizimi i pronave që u përkasin të gjithëve.

"Në Shqipëri është çdo gjë PPP dhe është e qëllimtë. Shikoni çfarë ndodh në qendrën e Tiranës, është logjika e mbrapshtë bolshevike që zhduk çdo gjë që është përpara teje dhe mbjell atë që ti do të jesh. Kjo është tmerrësisht e rrezikshme," tha Liçaj.

Etiketimet e kryebashkiakut Veliaj ndaj mbrojtësve të Teatrit duke i cilësuar ata si nostalgjikë, Liçaj i cilëson si denigruese.

"Shohim kryetarin e vogël të bashkisë që ka shitur fiq që thotë nostalgjikët. Ku e gjen ai këtë sens denigrimi. Përse janë britanikët ata që janë? Sepse janë konservatorë, pra gjërat më ët mira nga historia ata i konservojnë, i mbrojnë, i çojnë përpara," thotë Liçaj.