SHBA përgatit sanksione ndaj Rusisë, Kremlini akuzohet për ndërhyrjet në zgjedhje dhe sulme kibernetike
Amerika pritet të ndëshkojë zyrtarë të Rusisë si përgjigje ndaj sulmeve kibernetike në institucionet e saj dhe gjatë zgjedhjeve.
Mediet amerikane raportuan se sanksionet përfshijnë dhjetëra individë dhe subjekte ruse.
Diplomatë të Kremlinit po ashtu do të dëbohen.
Administrata e presidentit, Joe Biden, ka dyshime mbi Rusinë për sulmet e vitit të kaluar që lejuan hakerat të përgjojnë rrjetet kibernetike të selive qeveritare, Thesarit, apo Departamenteve të Drejtësisë, të Shtetit, dhe kompanive amerikane.
Agjencitë informative shtetërore kanë akuzuar palën ruse edhe për ndërhyrje të vazhdueshme në fushatat zgjedhore presidenciale.
Sipas medieve amerikane, sanksionet ndaj individëve dhe subjekteve nga Rusia janë koordinuar me aleatët europianë.
Këto pretendime presidenti Biden ia përsëriti homologut Vladimir Putin edhe në telefonatën që ata zhvilluan dy ditë më parë.
Biden i propozoi Putinit një samit për të diskutuar mbi çështjet e botës.
Moska, nga ana e vet, i ka mohuar akuzat duke thënë se sanksionet e pritura shkojnë përkundër nismave për një takim dypalësh.