Vrasja e afro-amerikanit në Mineapolis, Daunte Rajt u qëllua pa dashje nga ish-policja veterane
Ish-policja që qëlloi të riun me ngjyrë, Daunte Rajt, në qytetin amerikan të Mineapolisit, është arrestuar dhe pritet të gjykohet për vrasje nga pakujdesia.
Kimberli Poter rrezikon deri 10 vite burg dhe një gjobë prej 20 mijë dollarë.
Veterania e cila punonte që 22 vjeçe me policinë e Minesotës akuzohet se hapi zjarr dhe vrau me pistoletë 20-vjeçarin Rajt, duke pandehur se po e qëllonte me një armë të lehtë paralizuese.
Viktima vetë nuk ishte i armatosur, por ishte në kërkim për veprën e grabitjes me dhunë.
Si Poter edhe shefi i policisë së qytetit dhanë dorëheqjen dy ditë më parë në përpjekjen për të ulur tensionet sociale që nxiti ngjarja.
Megjithatë, protestat vijuan edhe të mërkurën.
Avokati i familjes së viktimës tha se edhe sikur ish-policja Poter të dënohet, kjo nuk mund ta kthejë në jetë 20-vjeçarin e vrarë.
"Oficerja stërvit edhe oficerët e rinj se si të reagojnë në situata të tilla, si ta shtensionojnë jo ta përshkallëzojnë situatën. Daunte u ekzekutua veç për një shkelje të vogël në qarkullimin me makinë dhe për një kundërvajtje të lehtë," tha avokati Benjamin Crump.
Kryebashkiaku i qytetit Broklin-Sentër ku po vijojnë protestat u bëri thirrje qytetarëve t'i zhvillojnë ato paqësisht dhe të bashkohen për të nxjerrë mësime për të mirën e komunitetit.