Konfiskohet anija që bllokoi Suezin, autoritetet egjiptiane kërkojnë 916 mln dollarë kompensim
Anija që bllokoi Kanalin e Suezit për 6 ditë me radhë nuk po lejohet të largohet nga Egjipti pa rënë dakord për të shlyer mbi 900 milionë dollarë për dëmet financiare që i shkaktoi vendit.
Autoritetet e Egjiptit kanë kërkuar 916 milionë dollarë dëmshpërblim nga pronari i anijes që bllokoi "Kanalin e Suezit" muajin e kaluar.
Institucioni që administraton kanalin tha se anijes "Ever Given" nuk po i lejohet të largohet nga vendi pasi pala tjetër refuzon marrëveshjen.
Ndalimi është kryer me urdhër gjykate dhe në bazë të ligjit të cituar nga autoritetet, shuma duhet paguar plotësisht para lirimit të mjetit.
Lexo edhe: Kanali i Suezit drejt normalizimit, zhvendoset pjesërisht anija “Ever Given”
Anija ka si pronar një firmë japoneze, ndërsa kompania e sigurimeve që e mbron atë ka hedhur dyshime mbi shumën e kërkuar.
Mjeti lundrues 400 metra i gjatë po transportonte kontejnerë kur më 23 mars u zhvendos diagonalisht në gjithë gjerësinë e Kanalit të Suezit.
Qarkullimi u bllokua për gjashtë ditë, dhe sipas vlerësimeve, ndali transportin e dërgesave prej gati 10 miliardë dollarë nga Azia në Europë.
Shuma e kërkuar nga autoritetet egjiptiane përfshin kostot për operacionet e zhbllokimit, për trafikun dhe për tarifat e humbura doganore.
Lexo edhe: Anija 400 metra e gjatë devijoi për shkak të rrymës së fortë ajrore, bllokohet kanali i Suezit