E rëndë! Të shtëna me armë zjarri në Paris, plagoset vajza 10 vjeçare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në kryeqytetin francez, ku është plagosur një vajzë 10 vjeçare.

Incidenti ndodhi në rajonin e Saint-Denis, në një lagje ku jetojnë kryesisht familjarë, informon CNN Greece.

Sipas medieve franceze, një burrë me armë qëlloi në drejtim të një automjeti në të cilin po udhëtonte babai me vajzën e tij 10-vjeçare.

Vajza e vogël është plagosur rëndë në kurriz dhe sipas, gazetës Le Parisien, vajza u dërgua në spital nga babai, i cili gjithashtu është plagosur.

Autori i krimit është larguar në drejtim të paditur dhe është në kërkim nga policia. Deri më tani, motivet e autorit të krimit dhe rrethanat nën të cilat ndodhi ngjarja mbeten të panjohura.

Dëshmitari okular tha se dëgjoi të shtëna me armë dhe në momentin kur arriti në vendngjarje, forcat policore kishin mbërritur.