Rusi, keqësohet shëndeti i Navalnit

Shëndeti i opozitarit rus, Aleksei Navalni, po përkeqësohet dita-ditës në ambientet e burgut, as sa nuk po mundet të ndjejë pjesë të trupit.

44-vjeçari filloi të vuajë dënimin në muajin janar, me t'u kthyer nga Gjermania pasi, siç pretendon ai, agjentura ruse tentoi ta helmojë për vdekje.

Por javët e fundit, Navalni mësohet se ka kaluar disa sëmundje të vështira: hernie diskale, sëmundje respiratore dhe dhimbje të forta trupi.

"Aleksei ecën vetë. Ndjen dhimbje kur ecën. Një faktor shumë shqetësues është se sëmundja po përparon dukshëm dhe po ia bën të pandjeshme këmbët, pëllëmbët dhe kyçet e duarve," shkroi në Twitter avokati i opozitarit pasi e vizitoi në qendrën spitalore ku po kurohet.

Për shkak të kushteve të këqija në burg, Navalni hyri javën e kaluar në grevë urie.

Sipas avokatit, ai vazhdon ta ndjekë grevën duke humbur rreth 1 kg peshë trupore përditë.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, "Amnesty International", ai gati po torturohet në burg dhe po vritet me ngadalë nga autoritetet.

Kritiku i presidentit Vladimir Putin qëndron në burg me akuzën e përvetësimit të fondeve, çështje e gjykuar në vitin 2014 dhe që Navalni thotë se është e motivuar politikisht.