BE-Turqi synojnë raporte pozitive
Bashkimi Europian është gati të ndjekë një axhendë konkrete dhe pozitive me Turqinë, dhe të punojë për të ulur tensionet dypalëshe.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen dhe presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel, takuan të martën presidentin turk, Rexhep Taip Erdoan për të diskutuar mbi raportet dhe perspektivat e bashkëpunimit.
"Fusha e parë që duam të fuqizojmë janë lidhjet ekonomike, duke qenë edhe partneri parësor i Turqisë. Së dyti, duam tryeza dialogu të nivelit të lartë për çështje si ndryshimet klimatike apo për situatën me kovidin-19. Fushat e tretë janë programet e shkëmbimit, dhe e katërta, çështja e refugjatëve dhe e emigracionit."
Marrëdhëniet BE-Turqi u acaruan vitin e kaluar si pasojë e përplasjeve mes Ankarasë dhe Athinës në Mesdheun Lindor, ku Turqia vlerëson se ka të drejtë ta shfrytëzojë për aktivitete ekonomike.
Ankaraja gjithashtu ka pretendime për sa i përket ujërave territorialë përballë Greqisë.
"Vërejmë një reduktim të tensioneve, dhe ky është zhvillim pozitiv. Interesi strategjik i BE-së, siguria dhe stabiliteti në Mesdheun Lindor i ndihmon raportet pozitive me Turqinë."
Por dy zyrtarët e BE-së thanë se Turqisë i duhet të punojë më shumë për shtetin e së drejtës.
Temat e fundit që shqetësojnë Brukselin janë tërheqja e Ankarasë nga konventa europiane për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, dhe largimin me ligj të një partie opozitare kurde nga parlamenti.
"Turqia duhet të respektojë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të cilat vendi është zotuar edhe si anëtar themelues i Këshillit të Europës," tha presidentja Fon der Lajen.