SHBA kundër pasaportës së vaksinimit: Nuk do të jetë detyrim

Pasaportat e vaksinimit mund të cenojnë privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve, prandaj Amerika nuk do t'i përdorë në nivel kombëtar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se qeveria e kundërshton mbledhjen e të dhënave të vaksinimit nga sektorët publikë apo privatë.

Kompani dhe organizata joqeveritare amerikane dhe angleze kanë propozuar që personat të provojnë se janë imunë ndaj covid-19 nëse duan të marrin shërbime, të ndjekin koncerte, sportet apo për udhëtimet jashtë shtetit.

Një sistem të tillë po planifikon edhe Bashkimi Europian për qëllime turizmi, ndërsa në Izrael certifikata e covid po kërkohet tashmë në hotele, palestra dhe kinema.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi të martën se pasaportat e vaksinimit nuk mund të jenë kriter përderisa ka ende dyshime se edhe personat e vaksinuar mund ta bartin virusin.

Më shumë se 2 milionë e 800 mijë njerëz në botë kanë humbur jetën nga covid-19.

SHBA-ja mban vendin e parë me mbi 550 mijë viktima, më shumë sesa bilanci i Brazilit dhe i Meksikës së bashku, që zënë dy vendet e tjera.

Numri i viktimave në Brazil u rrit të martën me 4 mijë persona shtesë, një rekord i ri ditor i nxitur edhe nga një variant më infektiv i koronavirusit.