Indonezi, mbi 160 viktima nga përmbytjet

Ekipet e shpëtimit vijuan të martën operacionet për gjetjen e dhjetëra të zhdukurve nga përmbytjet në Indonezi dhe në ishullin e Timorit.

Arkipelagu indonezian raportoi të martën se stuhitë ciklonare të bashkuara me shirat sezonalë shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje masive dheu lanë mbi 160 të vrarë.

70 persona të tjerë mbeten të zhdukur ndërsa me mijëra kanë mbetur pa shtëpi.

"Katastrofat u shkaktuan nga stuhia tropikale që goditi provincën lindore të Nusa-Tengas. Në raportimet e para të mëngjesit të 4 prillit, mësuam se disa zona u prekën veçanërisht nga stuhia, rrebeshet dhe dallgët deri 6 m të larta."

Shumë persona u gjetën të hënën nën baltën që vërshoi bashkë më ujërat në zonat rurale të Indonezisë dhe të Timorit Lindor.

Stuhia dhe rrëshqitjet e dheut rrafshuan një fshat duke e bërë të pabanueshëm pasi tërë banesat u zhvendosën afër bregut të oqeanit.

Autoritetet thonë se problem për ta mbetet strehimi i personave të prekur, pasi rrezikohen edhe nga pandemia e kovidit-19.

Gjysma e popullsisë indoneziane jeton në zona me rrezik përmbytjesh dhe erozioni, që sipas ambientalistëve, janë pasojë e shpyllëzimit.