"Urbi et Orbi", Ati i Shenjtë: Shpërndani vaksinat për më të varfrit, jo luftëra në pandemi
Pandemia dhe shpresa për daljen prej saj, dhe shmangia e luftërave në kohë krizash të tilla, ishin në qendër të mesazheve që Papa Françesku dha të dielën me rastin e Pashkëve. Kremtimet në kishat botërore këtë viti ishin të kufizuara për shkak të rrethanave me kovidin.
Miliona besimtarë të krishterë festuan të dielën Pashkët, ringjalljen e Krishtit dhe festën simbol të shpresës.
Për të dytin vit radhazi, mesha në Vatikan e kryesuar nga Papa Françesku pati në fokus pikërisht pasojat e pandemisë.
Papa u lut për të sëmurët, të ndjerët dhe të papunët prej sëmundjes infektive, ndërsa bëri thirrje për shpërndarjen shpejt të vaksinave për më të varfrit, për zgjidhjen e krizës së refugjatëve dhe heqjen dorë nga konflikti e luftërat në kohë të tilla.
"Pandemia është akoma në kulmin e vet, ndërsa është skandaloze që konfliktet e armatosura nuk pushojnë dhe që arsenalet ushtarake, fuqizohen. Ka akoma shumë luftëra, shumë dhunë në botë, dhe Zoti na ndihmoftë ta mundim këtë mendësi lufte."
Mesha e së dielës u mbajt para vetëm 200 besimtarëve dhe klerikëve në Bazilikën e Shën-Pjetrit.
Nën të njëjtat masa u organizua po ashtu shërbesa në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem.
Prej pandemisë, festimet në kisha ishin të kufizuara në numër pjesëmarrësish edhe në vendet europiane.
Pashkët i uruan edhe krerët katolikë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nisjen e kremtimeve në Kosovë e priu dom Lush Gjergji në katedralen e "Nënë Terezës" nga Prishtina.
“Në këtë kohë të zymtë dhe të pandemisë dhe ngjarjeve të ndryshme që ndodhi tek ne dhe në botë ne ta kemi sigurinë, ngjalljen e shpresës dhe ndezjen e dashurisë. Të përjetojmë siç përjeton tjetri[...]të përjetojmë se varri është i zbrazët se nuk jemi të krijuar për varr, për shkatërrim për vdekje dhe për asgjësim por për jetë. Dhe mirëkuptimi i kësaj jetë është parathënia e jetës së pasosur të cilën e arrijmë me Krishtin e ngjallur. Me këto ndjenja të thella, me nderim dhe dashurinë e ndaj Krishtit, juve dhe gjithë juve iu dëshirojmë Pashkët e shenjta, Pashkët e bardha, Pashkët e bekuara, Pashkët të cilat prekin thelbin e jetës sonë, ndërrojnë, përmirësojnë dhe shenjtërojnë jetën tonë”, tha ai.