Ushtria mbyll në shtëpi ish-princin jordanez, kritikoi korrupsionin në qeveri
Jordania ka fajësuar disa ish-funksionarë të lartë dhe pjesëtarë të mbretërisë se po tentojnë ta destabilizojnë vendin. Princi Hamza tha se ai është një ndër personat që po i ndalohet të flasë kundër qeverisë apo edhe mbretit Abdulla, vëllait të tij.
Ish-princi jordanez i kurorës ka akuzuar mbretërinë arabe se po shtyp zërat kritikë ndaj liderëve të shtetit.
Princi Hamza bin Hysein, vëllai i Mbretit Abdullah të Jordanisë, tha se i është kërkuar të korrigjojë qëndrimet për qeverinë dhe mbretin.
Në një video për agjencinë britanike, BBC, ish-princi i kurorës deklaroi se ushtria e ka urdhëruar të mos dalë nga shtëpia, të mos komunikojë me të tjerët, dhe i ka hequr telefonin dhe internetin.
"Nuk jam unë personi përgjegjës për rrënimin e qeverisjes, për korrupsionin dhe paaftësinë që reflekton struktura jonë qeverisëse në 15-20 vitet e fundit, dhe që po bëhet më keq. Ka arritur në pikën ku askush nuk mund të flasë apo të shprehë opinione mbi asgjë pa u frikësuar, arrestuar, kanosur dhe kërcënuar."
Ushtria jordaneze tha se princi Hamza duhet të ndalë veprimet që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë.
Të shtunën, në kuadër të operacioneve kundër grushti të mundshëm shteti, autoritetet e vendit arrestuan edhe një ish-ministër financash dhe një tjetër anëtar të familjes mbretërore.
Jordania ka pak burime natyrore dhe ekonomia e saj është goditur fort nga pandemia, ndërkohë që Mbreti Abdullah mbështetet nga fuqitë rajonale dhe konsiderohen edhe nga SHBA-ja si një aleat kryesor në luftën kundër ISIS-it.