Pakti bërthamor me Iranin, fuqitë botërore takim në Vjenë për bisedime

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë diskutuan këtë të premte me homologët e tyre iranianë për të vijuar diskutimet mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin. Palët ranë dakord që të takohen të martën në Vjenë për të vijuar diskutimet.

Irani, Kina, Rusia, Franca, Gjermania dhe Britania - të gjitha palët pjesëmarrëse në marrëveshjen e vitit 2015 - diskutuan këtë të premte për kthimin e mundshëm të Shteteve të Bashkuara në marrëveshje si dhe të sigurojnë zbatimin e saj të plotë dhe efektiv nga të gjitha palët.

Zëvendës Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, negociator i lartë në këto bisedime, tha për mediet iraniane se pjesëmarrësit kishin rënë dakord të takoheshin personalisht në Vjenë, të martën, pas bisedimeve "të sinqerta dhe serioze" këtë të premte, siç i cilësoi ai.

Takimi është konfirmuar gjithashtu edhe nga dy burime të larta diplomatike europiane, njoftojnë mediet gjermane.

Më herët, administrata e Bidenit ka kërkuar që ta angazhojë Iranin në bisedime, ndërsa Irani ka kërkuar heqjen e sanksioneve. Ish- presidenti Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione, duke bërë që Irani, pasi priti më shumë se një vit, të shkelte disa nga kufizimet bërthamore të paktit mes fuqive të mëdha botërore, në shenjë hakmarrjeje.

Analistët amerikanë shkruajnë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani ende nuk kanë rënë dakord as për t'u takuar në lidhje me ringjalljen e marrëveshjes dhe po komunikojnë indirekt përmes kombeve europiane.

Edhe ambasadori i Rusisë pranë agjencisë atomike të Kombeve të Bashkuara tha se përshtypja është se ne jemi në rrugën e duhur, por rruga përpara nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë përpjekje intensive. Palët e interesuara duket se janë gati për këtë, ”shkroi Ulyanov në Twitter.