Liderët e 24 shteteve apelojnë për krijimin e një traktati global mbi pandeminë, Covid-19 sfida më e madhe

24 liderë shtetesh në botë kanë bërë thirrje për krijimin e një traktati global se si t'i luftojnë së bashku pandemitë në të ardhmen.

Presidenti francez, Emanuel Macron, kryeministri britanik, Boris Johnson, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe mbi 20 shtetarë të tjerë e quajtën covid-19  sfidën më të madhe me të cilën ndeshet bota pas Luftës së Dytë Botërore.

Idenë e tyre për traktatin ata e publikuan në një editorial në gazetat më të mëdha të botës.

Firmëtarëve iu bashkua edhe kreu i OBSH-së.

"Ka për të pasur të tjera pandemi dhe emergjenca të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri e vetme apo agjenci shumëpalëshe nuk mund t'i adresojë e vetme këto. Tani që covid-19 ka përfituar nga dobësitë dhe përçarja jonë, duhet ta përdorim këtë mundësi për t'u bërë bashkë si komunitet global, për një bashkëpunim paqësor përtej krizës aktuale," nënvizuan liderët e 24 shteteve në letrën e tyre.

Traktati për pandemitë i konceptuar nga ta lidhet më shumë me ndarjen e përgjegjësive, transparencën dhe bashkëpunimin në sistemin ndërkombëtar, sipas rregullave dhe normave.

Një apel të ngjashëm, kryeministri britanik, Johnson, ua drejtoi homologëve të tij gjatë takimit të muajit të shkuar me vendet e G7-ës.

Johnson gjithashtu bëri thirrje që shtetet më të pasura të ndajnë vaksinat shtesë me më të varfrat nëpërmjet programit COVAX të OKB-së.

Pandemia e koronavirusit u ka kushtuar jetën gati 2 milionë e 800 mijë njerëzve në botë, nga më shumë se 120 milionë veta që e kanë kaluar.