Gjyqi për vdekjen e George Floyd, 46-vjeçari u kthye në simbol të luftës kundër racizmit në Amerikë
Pas 10 muajve apel nga familja dhe shoqëria, të hënën filloi gjyqi për vrasjen e afroamerikanit, Xhorxh Floid, të kthyer në simbol të luftës kundër racizmit në Amerikë.
Në bankën e të akuzuarit është polici Derek Shovin, që rrezikon deri 50 vite burg për vrasje me dashje ose nga pakujdesia.
Familja e Floidit, avokati dhe aktivistë për të drejtat civile, mbajtën të dielën një meshë në vigjilje të procesit, me shpresën për drejtësi.
"Kam besim se kjo çështje nuk do na zhgënjejë. Kam besim se Derek Shovin do të dënohet," tha Philonise Floyd vëllai i George.
"Të paktën e sollëm deri te gjyqi. Tani duam që gjykata të tregojë a është e gatshme ta vërë policinë para përgjegjësisë, kur ata gabojnë?" tha Reverend Al Sharpton, aktivist për të drejtat civile.
Ndërkohë, qytetarë të thjeshtë protestuan jashtë godinës së gjykatës ku Shovin dhe tre kolegët e tij do të përballen me akuzat.
Qëndrimet e tyre do i gjykojë një juri e përbërë nga 15 anëtarë, të moshave dhe racave të ndryshme.
"Jemi këtu me këmbë në tokë, për të treguar se nuk po tallemi, se duam drejtësi të vërtetë," tha Andre Friedman, protestues.
"Shpresojmë që prokurorët të sigurojnë dënimin e merituar. Përndryshe ky shesh duhet të qëndrojë mbyllur si dëshmi për padrejtësinë e këtij qyteti ndaj personave me ngjyrë," tha Marcia Howard, mësuesja e gjimnazit të George.
Xhorxh Floid humbi jetën 25 majin e shkuar.
46-vjeçari ishte denoncuar nga shitësi i një dyqani se kishte blerë një paketë cigaresh me para të falsikuara.
Ai u arrestua por refuzoi të hipë në makinën e policisë, dhe në përpjekjen për ta nënshtruar, polici, Derek Shovin, i vendosi gjurin mbi qafë për 9 minuta me radhë, duke i shkaktuar asfiksi, dhe për pasojë, vdekjen.