Kanali i Suezit drejt normalizimit, zhvendoset pjesërisht anija "Ever Given"

Një anije masive kontejnerësh që bllokoi kanalin e Suezit në  Egjiptit për gati një javë është zhvendosur pjesërisht, tha Autoriteti i Kanalit të Suezit (SCA), duke rritur shpresat se rruga do të rihapet së shpejti.

Anija e gjatë 400 metra bllokoi kanalin e Suezit të martën e kaluar më 23 mars, duke ndaluar trafikun në rrugën më të shkurtët të transportit midis Evropës dhe Azisë.

Pas pastrimit dhe gërmimit gjatë fundjavës, punonjësit e shpëtimit nga SCA dhe një ekipi nga firma holandeze Smit Salvage punuan për të liruar anijen duke përdorur anije tërheqëse në orët e para të së hënës, thanë dy burime detare dhe transportuese.

SCA tha se Ever Given është drejtuar në kanal dhe operacionet e mëtejshme tërheqëse do të rifillojnë sapo batica të rritet . Lundrimi detar përmes kanalit do të rifillojë pasi anija të drejtohet në zonën e Liqeneve të Mëdha, një pjesë më e gjerë e kanalit, shtoi ai.

Të paktën 369 anije po prisnin të kalonin kanalin, duke përfshirë dhjetra anije kontejnerësh, transportues pjesësh të mëdha, cisterna nafte dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) ose anije të gazit të lëngshëm (LPG), tha Kryetari i SCA Osama Rabie.

Menaxheri teknik i anijes Bernhard Schulte Shipmanagement (BSM) nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Ekipet e shpëtimit të Kanalit të Suezit kishin intensifikuar gërmimet dhe pastrimet të dielën më 28 mars dhe shpresonin se një baticë e lartë do t'i ndihmonte ata të zhvendosnin anijen.

Rreth 15% e trafikut të transportit botëror bëhet nëpërmjet kanalit të Suezit, i cili është një burim kryesor i të ardhurave në valutë të huaj për Egjiptin. Ndalimi aktual po shkakton humbje deri në $ 14 - $ 15 milion në ditë.

Normat e transportit për cisternat e produkteve të naftës pothuajse u dyfishuan pasi anija u bllokua dhe bllokimi ka prishur zinxhirët globalë të furnizimit, duke kërcënuar vonesa të kushtueshme për kompanitë që tashmë merren me kufizime të Covid-19.

Disa transportues kishin vendosur të ri-orientojnë ngarkesat e tyre rreth Kepit të Shpresës së Mirë, duke shtuar rreth dy javë udhëtime dhe kosto shtesë të karburantit.

Një shënim nga AP Moeller Maersk, raporton Reuters tha se deri më tani kishte ridrejtuar 15 anije rreth Kepit pasi kishte llogaritur që udhëtimi do të ishte i barabartë me vonesën aktuale të lundrimit në Suez dhe në radhë.

SCA ka thënë se mund të përshpejtojë autokolonat përmes kanalit sapo të lirohet Ever Given.