Gjiknuri takim me bizneset: Vota për Partinë Socialiste është votë për zhvillimin e Vlorës
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve që operojnë në zonën e autostradës Vlorë-Levan.
Në fjalën e tij, Gjiknuri theksoi se kjo zonë për vet rëndësinë që paraqet për Vlorën, ka njohur transformim të rëndësishëm gjatë dy mandateve të para të qeverisjes socialiste.
Gjiknuri: Me zhvillimet dhe projektet e parashikuara, duke qenë dhe shumë pranë Vlorës, kjo zonë do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme. Investimet e pritshme, projekti për aeroportin e Vlorës dhe përmirësimi i infrastrukturës lidhëse me aeroportin, zgjerimi i rrugës që shkon në Akërni dhe që lidhet me autostradën, do të ndikojë padiskutim tek bizneset e në veçanti tek ato që operojnë me Italinë, duke i krijuar akses bashkëpunimi bizneseve të Vlorës me vendet fqinje.
Gjiknuri theksoi se në këtë mandat të tretë do t’i jepet zgjidhje përfundimtare edhe ngërçit që shpesh ka ekzistuar për lejet e bizneseve që duan të operojnë në këtë zonë, si dhe shtoi se janë të shumta arsyet se përse Partia Socialiste duhet të fitojë mandatin e tretë qeverisës ndërsa nuk ekzistojnë një arsye bindëse që të mendohet e kundërta.
Gjiknuri: Interesi i veçantë i Kryeministrit Rama e ka kthyer Vlorën në një pol të rëndësishëm investimesh dhe zhvillimi. Nga pikëpamja infrastrukturore ndryshimet janë shumë të mëdha. Në këtë mandat të tretë projektet e nisura në Vlorë, me interesin e Kryeministrit Rama do të vijojnë më tej. Gjithë projektet e mëdha, nëse mendohet ndryshimi i kahut politik, do të mbeten ne mes. Në Vlorë, Partia Demokratike nuk ka moral të kërkojë votë, sepse e ka treguar me fakte se nuk bën asgjë për Vlorën, siç nuk ka bërë asnjëherë asgjë. Vota për Partinë Socialiste është votë për zhvillimin e Vlorës.