FOTO/ Aparaturat mjekësore që nevojiten për trajtimin e pacientëve me Covid-19

A e dini se cilat janë aparaturat mjekësore që duhen të jenë në një spital për të trajtuar pacientët me Koronavirus?

Nga oksimetri dixhital e deri tek respiratori ose mushkëria artificiale, të gjitha aparaturat mjekësore në një spital Covid i tregon me detaje inxhinieri bio-mjekësor Ermand Mertenika.

Aparaturat mjekësore të cilët trajtojnë virusin Sars-Covid-2:

Oksimetri Dixhital

Oksimetri Dixhital është një pajisje e lirë dhe vogël monitoruese e nivelit të oksigjenit (Monitoron saturimin eritrocideve / rruazave të kuqe me oksigjen). Këtë pajisje kushdo mund ta ketë në shtëpi.

Kjo pajisje të mundëson vigjilencën ndaj pandemisë, pra ndikon në perceptimin në kohë të infektimit. Niveli normal i oksigjenit në gjakun e pacientit duhet të jetë mbi 93% pra (94-100%).

Oksimetri dixhital është i rëndësishëm në këtë periudhë pandemie por njëkohësisht shkakton stres të tepruar psiko-neurotik te qytetarët, pasi qytetarët mund të alarmohen për një vlerë të vogël të devijuar momentale nën 94% , pra n.q.s vlera e oksigjenit bie në 93%, nuk është e thënë që qytetarët janë të infektuar, por kjo mund të jetë dhe ftohje bronkiale apo ndonjë patologji tjetër. Në qoftë se vlera e oksigjenit shkon në 93% dhe qëndron për një kohë të gjatë mbi 1-2 orë dhe n.q.s kjo vlerë bie gradualisht, atëherë duhen marrë masa emergjente shëndetësore.

Në anën tjetër të medaljes n.q.s vlera e oksimetrit dixhital tregon momentalisht 93% dhe pas 30 minutave shkon në 98 apo 99% kjo është diçka normale dhe e shëndetshme që nuk është arsye stresi psikologjik.

Pra e thënë ndryshe, kjo është një pajisje e cila në këtë periudhë pandemie është e rëndësishme.

Monitori i Pacientit

Monitori i pacientit është pajisje tjetër vlerësuese, e cila qartëson vlerat jetike të pacientëve si: rrahjet e zemrës, oksigjenin në gjak, tensionin, vlerat e frymëshkëmbimit, temperaturën etj.

Monitorët e pacientit përdoren në qendrat spitalore në (Reanimacion) pasi është aparaturë e shtrenjtë, por për çështje preferenciale mund të vendoset dhe në kushte shtëpie.

Pajisjet oksigjenuese

Bombula e Oksigjenit

Bombula e Oksigjenit përmban sasi të lartë oksigjeni me pastërti mbi 90% dhe e pajisur me një kalibrator manometrik, i cili përcakton sasinë e dukur të oksigjenit që mund t’u jepet pacientëve në rast se vlera e oksigjenit në gjak ka rënë nën 93%. (Unë nuk ua sugjeroj qytetarëve, të cilët në rast infektimi të pajisen me bombulat e oksigjenit, pasi presioni shumë i lartë i oksigjenit në bombul mund të shkaktojë një shpërthim të mundshëm nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. Gjithashtu kalibratori manometrik duhet mirëmbajtur me kujdes pasi është metal i thyeshëm dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha njerëzore dhe materiale.

Koncentratori i Oksigjenit

Koncentratori i oksigjenit është një pajisje e këshillueshme të përdoret te pacientët e infektuar me Covid, pasi kjo pajisje është e sigurtë dhe nuk ka risk. Gjeneratori i oksigjenit ekstrakton (filtron) oksigjenin nga ajri me anë të disa filtrave. Vlera që u jepet pacientëve është deri 5L/Min ose 10L/min.

Mushkëria Artificiale (Respiratorët )

Mushkëria Artificiale (Respiratorët) janë gama e rëndë e aparaturave të trajtimit të fazës së fundit të pacienteve me C, pra faza në të cilët Covid-19 ka progresuar në mushkëritë e pacientit dhe pacienti predispozohet të ketë vlerë shumë të ulët të nivelit të oksigjenit në gjak.

Ventilatorët e Reanimacionit ose Respiratorët mbajnë në jetë këto pacientë në rast se intubohen (faza e fundit e trajtimit).

Këto pajisje më të përfolura të kohës, janë shumë të rëndësishme në këtë moment pandemie pasi luajnë rolin e mushkërive artificiale (Frymëshkëmbimi / Cikli  Spirometrik).

N.q.s gjendja e pacientit me Covid është e shumë e përkeqësuar atëherë vetëm respiratorët janë ata të cilët aplikohen.

Respiratorët aplikohen në dy mënyra: (Mënyra më e lehtë, e cila është faza e oksigjenimit me maskë ventilimi dhe mënyra e dytë dhe e fundit e cila është aplikimi me tub të drejtuar në trakenë e pacientit pra Intubimi Endo-Trakeal).

Ventilatorët e Reanimacionit (Respiratorët)

Këto pajisje duhet të mirëmbahen dhe të sterilizohen vazhdimisht pasi pacientë të ndryshëm kanë sëmundje shtesë të ndryshme dhe për të evituar ngjitjen e sëmundjeve nga një pacient tek një tjetër, tubat e respiratorëve duhet të jenë ose njëpërdorimshme ose duhet të sterilizohen gradualisht për të evituar ngjitjen e sëmundjeve të tjera.

Gjithashtu softueri (programi i respiratorëve të sofistikuar ) është një pajisje me alarme emergjente, të cilave u duhet kushtuar shumë rëndësi dhe vëmendje në rast të një alarmi apo indikatori audio-vizual, i cili shfaqet kur respiratori është i aplikuar tek pacienti.

Ermand Mertenika / Inxhinieri Biomjekësor (Inxhinieri i respiratorëve)

Lexo edhe: https://www.oranews.tv/rriten-vdekjet-dhe-infektimet-448-raste-te-reja-15-viktima-dhe-357-ne-spitale/