Teksa të gjitha vendet po e pezullojnë , AstraZeneca vazhdon të mbrojë vaksinën: Nuk ka rrezik

Ndërsa rritet numri i vendeve që po pezullojnë përdorimin e vaksinës "AstraZeneca", kompania anglo-suedeze këmbëngul në sigurinë e saj.

Pas analizimit të të dhënave nga 17 milionë të vaksinuar në Bashkimin Europian dhe në Britani, "AstraZeneca" njoftoi se nuk ka prova të qarta që vaksina shton rrezikun e mpiksjes së gjakut.

"Numri i rasteve të tilla është më i ulët sesa qindra rastet që duhet të priteshin nga popullata e përgjithshme. Vëmendja po i kushtohet rasteve të veçanta," informoi kompania farmaceutike.

LEXO EDHE: Edhe Holanda pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Holanda u bë të dielën vendi më i ri europian që ndaloi imunizimin e qytetarëve me vaksinën "AstraZeneca", si masë paraprake.

Autoritetet holandeze thanë se gjatë dy javëve të ardhshme do të shqyrtojnë situatën.

Pas Norvegjisë, Danimarkës, Bullgarisë, Islandës, edhe Irlanda pezulloi përdorimin e vaksinës së Oksfordit.

Ndërkohë Italia ka bllokuar vetëm një seri vaksinash dhe vazhdon ta konsiderojë "AstraZeneca"-n efikase dhe të sigurt kundër virusit të zakonshëm SARS-CoV-2.

Në gjithë Europën, Agjencia për Barnat ka identifikuar 30 raste të trashjes së gjakut te më shumë se 5 milionë europianë të vaksinuar.