"Parajsa e shqiptarëve" në Pavia, policia zbulon fermën e marijuanës, 6 të arrestuar
Në orët e para të mëngjesit të sotëm autoritetet policore italiane të Pavias kanë ekzekutuar operacionin e koduar "Green Farm" , i cili ka çuar në ekzekutimin e urdhër arrestimeve ndaj 6 shtetasve shqiptarë, mes të cilëve një femër, me akuzën e kultivimit e tregtimit të lëndës narkotike tip marijuanë.
Ndaj 5 prej tyre është lëshuar urdhri i arrestimit me burg e 1 në urdhër arrestimi shtëpiak.
Hetimet e operacionit kanë nisur në tetor të 2020 pas zbulimit të një plantacioni ilegal marijuanë në një fermë të braktisur në komunën Villanterio në provincën e Pavias.
Aktiviteti investigativ i autoriteteve policore italiane mundi të zbulojë dhe dy kapanone të tjera: një po në komunën Villanterio e një tjetër në komunën Pieve Emanuele në provincën e Milanos.
Grupi kriminal i shqiptarëve kishte ngritur një sistem prodhues së marijuanës në nivel industrial.
Bimët ngroheshin me qindra llamba elektrike të lidhura abuzivisht me energjinë elektrike publike (të rrugës), ndërsa sistemi hidrik realizohej përmes cisternave të ujit.
Të tre plantacionet me marijuanë ruheshin me një sistem vëzhgimi të sofistikuar me telekamera që kontrollonin nga larg plantacionet e marijuanës.
Grupi kriminal ishte i përbërë nga 6 shtetas shqiptarë, të gjithë me precedent penal e banues në provincën e Milanos. Aktiviteti i tyre ishte i mirë organizuar e me detyra të ndara.
Njëri prej tyre ishte promotori e organizatori i aktivitetit kriminal e merrej me vend-gjetjet e ngritjen e plantacioneve me marijuanë.
Dy shqiptarë të tjerë, vëllezër, merreshin me punët e përditshme brenda kapanoneve me drogë, si procesi i mbledhjes, tharjes e paketimit të bimëve.
Një 48 vjeçar shqiptar merrej me menaxhimin e procesit prodhues të marijuanës e një 24 vjeçar ishte korrier i furnizimit me drogë për klientët.
Mes gjashtë shqiptarëve të arrestua është dhe një femër 26 vjeçare e detyra e saj ishte të merrej me procesin e presimit të bimëve, e me llogaritjen e fitimeve të nxjerra. Ajo gjithashtu vëzhgonte telekamerat e sigurisë që mbanin nën kontroll plantacionet me drogë.
Ky grup kriminal shiste 3,5 deri në 5 euro çdo gramë marijuanë e tregtonin çdo muaj sasi të mëdha marijuanë.