Shqetësimet e vaksinës AstraZeneca, OBSH-ja mbledh ekspertët për shqyrtim të problemit
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar këtë të martë mbledhjen e komitetit të ekspertëve për të diskutuar mbi sigurinë e vaksinës së Oksfordit, AstraZeneca.
Organizmi ndërkombëtar i Shëndetësisë u ka kërkuar vendeve që të vijojnë vaksinimin me të, pavarësisht se disa vende europiane e kanë bllokuar për shkak të frikës se mund të shkaktojë mpiksje të gjakut.
Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia janë ndër vendet europiane që kanë ndërprerë injeksionet e vaksinës AstraZeneca për shkak të shqetësimeve që lidhen me mpiksjen e gjakut.
Megjithatë, më herët, Agjencia Europiane e Barnave, këmbënguli se përfitimet e tij ishin më të mëdha se sa rreziku i efekteve anësore.
Komiteti i ekspertëve të OBSH-së për sigurinë e vaksinave do të takohet këtë të martë, po ashtu është njoftuar edhe një takim i ekspertëve të Agjencisë Europiane të Barnave, me qëllim botimin e udhëzimeve të mëtejshme për përdorimin e AstraZenecës.
Sipas shkencëtarëve të OBSH-së, përqindjet që kanë ndodhur mpiksjet e gjakut tek njerëzit që morën vaksinën AstraZeneca "janë shumë të ulëta".
Gjermania tha se po pezullonte përdorimin e vaksinës pasi rregullatori kombëtar këshilloi që raportimet për mpiksje të gjakut duhet të hetohen, ndërsa ministrja spanjolle e shëndetësisë Carolina Darias njoftoi një ndalim dy-javor të përdorimit të vaksinimit.
Autoriteti italian i ilaçeve tha se po merrte vendimin si një "masë paraprake dhe të përkohshme" në pritje të vendimeve nga Agjencia Europiane.
Sipas AstraZenecas, rreth 17 milion njerëz në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë doza të vaksinës, dhe ka pasur më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuara deri më tani.