Japoni, 10 vite nga katastrofa natyrore që i mori jetën mijëra personave

Japonia mbajti të enjten një minutë heshtje në kujtim të 18,500 viktimave dhe të zhdukurve nga tri katastrofat natyrore të 10 viteve më parë.

Në ceremonialin përkujtimor morën pjesë perandori Naruhito dhe kryeministri Joshihide Suga.

Në orën 14:46, edhe familjarë të viktimave u mblodhën bashkë të kujtojnë 11 marsin e vitit 2011, ditë kur një tërmet me magnitudë 9 do të provokonte dallgë deti deri 15 metra të larta, të cilat do të vërshonin e shkatërronin verilindjen e vendit.

Cunami shkaktoi edhe një aksident në reaktorin bërthamor të Fukushimës, duke shpërngulur 160 mijë persona për t'i shpëtuar rrezatimit radioaktiv.

Edhe pas një dekade, pavarësisht operacioneve ndër vite për rikuperimin e dëmeve, dhjetëra mijëra japonezë po jetojnë larg banesave të tyre, në streha të përkohshme, në spitale ose tek të afërmit.

Qeveria ka shpenzuar 300 miliardë dollarë për të rindërtuar zonat e katastrofës, por kryeministri Joshihide Suga thotë se rindërtimi i zonave të katastrofës është ngadalësuar nga pandemia.

Këtë javë do të vijojnë sërish kërkimet për trupat e personave të pagjetur prej 10 vitesh.

Eshtrat e një gruaje të zhdukur gjatë cunamit të 2011-ës u gjetën edhe javën e kaluar.