BE ia kërkon Kosovës asociacionin: Kushtetuesja s’ka thënë që s’mund të themelohet

Ndërsa pritet krijimi i qeverisë së re, Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës t’u qëndrojë zotimeve të bëra në kuadër të Marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se presin që Kosova të implementojë asociacionin e komunave me shumicë serbe meqë është zotim që është marrë në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit.

“Kosova ka hyrë në një marrëveshje për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo marrëveshje ishte arritur në mirëbesim mes të gjithë palëve të inkuadruar. Marrëveshja asnjëherë s’është shfuqizuar”, ka thënë Stano për gazetën Express.

Ai ka rikujtuar se Kosova marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 e kishte ratifikuar edhe në Kuvend me 2/3 dhe thotë se ky është një obligim që Prishtina zyrtare e ka marrë mbi supe për ta çuar përpara.

“Në fakt Marrëveshja e vitit 2013 ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e shumicës. Duke e bërë një gjë të tillë, Kosova ka marrë mbi vete një obligim ndërkombëtar për të implementuar këtë marrëveshje”, ka shtuar Stano.

I pyetur nëse është e pranueshme për BE-në që Kosova të implementojë asociacionin vetëm në pajtim me Kushtetutën pa pjesët që është gjetur se përbëjnë shkelje apo nëse Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën për të implementuar modelin e Asociacionit siç është në Marrëveshjen e vitit 2013, Stano ka thënë se vendimi i Kushtetueses për asociacionin në vazhdimësi është keqinterpretuar, derisa ka potencuar se në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese asnjëherë s’ka konstatuar që asociacioni s’mund të themelohet.

“Vendimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asocaicionin në vazhdimësi është keqinterpretuar. Gjykata asnjëherë s’ka thënë që Asociacioni nuk mund të themelohet”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.

Ai në fund ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të respektojë obligimet që ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të udhëhequr nga Brukseli.

Megjithatë shkeljet e gjetura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë bërë që të mos procedohet përpara me implementimin e një marrëveshje të tillë. Derisa tashmë në pushtet pritet që të vijë Lëvizja Vetëvendosje, e cila në vazhdimësi ka qenë kategorike kundër themelimit të asociacionit.