Ben Andoni: Kryetarët janë gati sundues të gjithë vullnetit në një parti
Teksa shkojmë drejt zgjedhjeve të 25 prillit, partitë politike kanë vendosur t'i mbajnë "sekret" listat e kandidatëve për deputetë.
I ftuar në Studion e Ora News, analisti Ben Andoni shprehet se "ka një paqartësi në strukturat e brendshme të partive dhe për këtë arsye ka pasur vonesë për publikimin e këtyre listave."
"Më shumë se sa sekret, është një lloj paqartësie e strukturave të brendshme të partive sepse pak a shumë të paktën me përpjekjet që bëri PD-ja me komisionin që ngriti specifik për të zgjedhur përfaqësuesit dhe të njëjtën gjë që bëri dhe PS-ja emrat duhet të ishin të përcaktuar.
Megjithatë, deri tani dihet që PD-ja po mundohet më shumë që përfaqësuesit e saj që përfaqësojnë partitë e vogla t'i vendosi në vende të sigurta, ndërsa PS-ja po riskon që ata të vendosen gati në kufirin për arsyen e vetme që të bëhet një luftë pak më ferrë.
Ajo që më bën përshtypje është që duhet të kishte një lloj ndershmërie dhe listat duhet të mbaronin shumë kohë më përpara sepse kishin mundësi të paktën edhe pa u dorëzuar listat, se ne e dimë shumë mirë që ato do dorëzohen në momentin e fundit që njerëzit mos kenë mundësi të apelojnë të kërkojnë etj.
Kjo në një farë mënyre tregon se kryetarët te ne janë më shumë se kryetarë, gati sundues të gjithë vullnetit në një parti. Bie poshtë ajo që ne pretendojmë që partitë tona janë të drejtuara nga një lloj demokracie. Kjo demokraci pastaj shkon dhe pasqyrohet në qeverisje. Këtë po e shohim sidomos në mandatin e dytë të Z.Rama, e kemi parë sidomos në mandatin e dytë të Z.Berisha.
Problemi i madh është që të dyja partitë kryesore, të cilat bëjnë rregullat e lojës politike në Shqipëri, kanë kohë që e kanë humbur këtë demokracinë e brendshme. Mjafton të kujtosh vendimin e PD-së për t'u larguar nga Parlamenti, tregon që gjithçka ka qenë jo e këshilluar mirë me bazën.
Po ashtu te Partia Socialiste e kupton shumë mirë që gjithçka vendoset nga Z.Rama dhe nga askush tjetër," u shpreh Andoni.