Frikë prej sulmit, rrethohet Capitol

Kongresi amerikan ka shtuar sigurinë nga frika se të enjten mund të sulmohet sërish si më 6 janar.


Dhoma e ulët e Përfaqësuesve anuloi punimet pasi shërbimet inteligjente paralajmëruan se grupe ekstremistësh që mbështetin ish-presidentin Donald Tramp janë duke planifikuar hyrjen brenda godinës.
Sipas një teorie konspirative që qarkullon mes simpatizantëve të ish-presidentit, e enjtja është dita kur ata presin që republikani të rikthehet në pushtet.


4 marsi është edhe dita që presidentët e mëparshëm amerikanë bënin betimin, datë që u zhvendos më 20 janar pas vitit 1933.
Muajin e kaluar, një nga drejtuesit e trupës policore që ruan rendin brenda Kongresit tha se ekstremistët në sulmin e 6 janarit donin ta hidhnin në erë godinën dhe të vrisnin ligjvënësit.


Mësymja e tyre në janar erdhi në kohën kur Senati po certifikonte fitoren e presidentit, Xho Bajden.


Sulmi rezultoi me 5 persona të vrarë dhe mbi 300 të arrestuar.
Ish-kreu i shtetit, Tramp, fitoi në shkurt pafajësinë për akuzën se ishte ai që i nxiti aktet e dhunshme.