Katastrofë epidemiologjike, 150 mijë çekë në luftë me koronavirusin, 20 mijë kanë vdekur
Kriza epidemiologjike në Çeki është rënduar së tepërmi. Ekspertët thonë se qeveria ka gabuar në shumë drejtime dhe nuk ka reaguar si duhet ndaj variantit të ri të virusit që është përhapur në vend.
Në mbarë botën po ulet vala infektuese e kovidit-19, por në Çeki ajo ka arritur kulmin.
Një variant i ri i koronavirusit, më ngjitës se i pari, po qarkullon në shtetin me 10 milionë banorë.
150 mijë prej tyre janë duke luftuar me virusin, dhe listës po i shtohen mbi 7 mijë të rinj çdo ditë.
Kohëzgjatja e pandemisë dhe fluksi i të sëmurëve ka vënë në vështirësi veçanërisht spitalet.
"Stafi është tejet i lodhur sepse ka muaj që punon maksimalisht. Mbyllëm tërësisht edhe pavijonin e fëmijëve për t'u shërbyer pacientëve me kovid."
"Problemi më i madh është paparashikueshmëria. Edhe një pacient i ri me të cilin ti flet përditë, mund të përfundojë në gjendje kritike me respirator."
Çekia ka raportuar mbi 1 milion e 200 mijë raste të kovidit-19 që nga fillimi i pandemisë.
20 mijë persona nuk i kanë mbijetuar dot infeksionit, përqindje kjo më e larta në botë në rang popullsie.
Qeveria çeke pranoi të premten në parlament se ka gabuar në menaxhimin fillestar të pandemisë, porse i duhet të shkojë nga e ardhmja, jo nga e shkuara.
Sipas ekspertëve, tri gabimet kryesore të qeverisë janë mosdetyrimi i maskave gjatë verës së kaluar, mbajtja hapur e dyqaneve për festat e fundvitit, dhe reagimi i vonuar ndaj variantit të ri të virusit që nisi të përhapet në fillimin e janarit.