Kina po krijon shteg në Ballkan përmes “diplomacisë me vaksina”

Kina ka rritur angazhimin e saj në Ballkan përmes furnizimit me vaksina kundër COVID-19. Në të njëjtën kohë, ajo po korr edhe fitore diplomatike. Kjo po ndodhë në kohën kur vendet evropiane po luftojnë me një situatë të mungesës së vaksinave kundër COVID-19.

Serbia është bërë pika kyçe e “diplomacisë me vaksina” të Kinës në Evropë. Pekini po synon të rrisë ndikimin global duke bërë dërgesa të vaksinave në vendet e varfëra. Në këtë mënyrë po mundohet të mbushë një zbrazëti të krijuar nga vendet perëndimore, të cilat kanë blerë të gjitha dozat e vaksinave - që i kanë miratuar - dhe tani po përballen me mungesa të furnizimit për shkak të vonesave në prodhim.

Serbia është një aleate e Rusisë, por në të njëjtën kohë synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Lidhjet e Serbisë me Kinën kanë shënuar përafrim viteve të fundit. Ato u thelluan më shumë nën udhëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë pandemisë, ai iu bëri jehonë lidhjeve të forta të vendit të tij me Pekinin. Në Serbi janë organizuar një sërë ceremonish, në të cilat Vuçiq ka lavdëruar ndihmën e Kinës, madje në një rast edhe duke e puthur flamurin kinez. Kjo ndodhi në muajin mars të vitit 2020, pasi në Beograd arriti një aeroplan me ndihma mjekësore nga Kina.

Strategjia e Vuçiqit duket se ka funksionuar. Serbia ka shfrytëzuar lidhjet e saj për ta bërë të shumëllojshëm procesin e furnizimit me vaksina, duke u bërë kështu vendi me përqindjen më të lartë të të vaksinuarve në Evropën Kontinentale.

Deri më 16 shkurt, në Serbi janë vaksinuar rreth 11.2 për qind e popullsisë së saj 7 milionëshe. Kjo shifër tejkalon vendet e BE-së, nga të cilat prin Danimarka, me 6.9 për qind të popullsisë së saj të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës.

Në procesin e imunizimit të Serbisë, pjesa më e madhe e vaksinave janë marrë nga Kina, rreth 1.5 milionë, megjithëse ky vend po përdorë gjithashtu edhe vaksinën Sputnik-V të Rusisë si dhe atë gjermano-amerikane: Pfizer-BioNTech.

Më 11 shkurt, në aeroportin "Nikolla Tesla" në Beograd ka arritur dërgesa më e fundit e vaksinës kineze. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe ambasadori kinez në Serbi, Chen Bo, ishin të pranishëm gjatë pranimit të dërgesës.

Kina po përballet me stuhi dyshimesh dhe skepticizëm nga perëndimi dhe gjetja e një terreni në Serbi për dërgimin e vaksinave, shërben edhe si një fitore e rëndësishme gjeopolitike.

Pekini bën përpjekje për të pasur një ndikim më të madh në rajon dhe më gjerë, prandaj Beogradi është bërë një pikënisje e rëndësishme për Kinën në synimet e saj për të fituar terren në Evropë.

“Serbia ka shërbyer prej kohësh si një lloj terreni testues për Kinën”, thotë ish-diplomati, Vuk Vuksanoviq, tash hulumtues në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd.

"Këtë e kemi vërejtur në fushën e mbrojtjes, ndërtimit, teknologjisë dhe tani me vaksinat. Pra, është një vend ku Pekini po i provon politikat e tij duke shpresuar që ato t’i provoje edhe diku tjetër në Evropë", thotë ai.

Prej maskave te vaksinat

Nga këndi kinez, furnizimi me vaksina bëhet me të njëjtën logjikë të “diplomacisë së maskave”.

Përmes asaj strategjie, Kina siguroi maska dhe pajisje mjekësore përgjatë vendeve që i sheh si pjesë të projektit të njohur si “Një Rrip një Rrugë” - nga Afrika në Azinë Juglindore dhe deri në Lindjen e Mesme. Kina, i dërgoi këto furnizime në fillim të pandemisë, për të shuar zemërimin dhe kritikat për mënyrën se si e kishte trajtuar pandeminë, por edhe për të rritur ndikimin në këto vende përmes “fuqisë së butë”.

Vaksinat kineze, përshembull, e ndihmuan Serbinë të bëhet udhëheqëse në fushatën e imunizimit dhe në të njëjten kohë i ofruan mundësinë presidentit Vuçiq që të kritikojë BE-në dhe pabarazinë globale në qasje te vaksinat.

Në fund të muajit janar, Vuçiq i krahasoi grindjet globale për vaksinat me katastrofën e anijes Titanik.

"Bota ka goditur një akullnajë, si Titaniku: të pasurit ruajnë veten dhe të dashurit e tyre", pati thënë Vuçiq.

“Ato (vendet e BE-së) kanë përgatitur varka shpëtimi, ndërsa ata që nuk janë të pasur, dhe të vegjël, sikurse ne vendet e Ballkanit Perëndimor, po fundosemi së bashku në Titanik”, ka thënë Vuçiq.

Dimitar Beçev, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo është një mundësi e artë për Kinën “për ta turpëruar BE-në, por edhe më gjerë Perëndimin".

"Për Pekinin kjo është një mundësi që të lustrojë reputacionin në nivel global, por edhe më shumë se kaq, për të zëvendësuar Perëndimin si shtyllën kurrizore të bashkëpunimit ndërkombëtar", tha ai.

Bashkimi Evropian është zotuar t'u ndajë gjashtë anëtarëve të ardhshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor - përfshirë Serbinë - 85 milionë dollarë për të blerë vaksina, por dërgesat janë vonuar.

BE-ja po e bën blerjen e vaksinave për 27 vendet anëtare të saj. Blloku ende nuk i ka miratuar për përdorim vaksinat ruse dhe kineze. Në anën tjetër, kompanitë e tri vaksinave tjera që prodhohen në Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, po bëjnë përpjekje të sigurojnë me doza të premtuara vendet e BE-së./REL/