Shpërthim i fortë në kraterin e vullkanit Etna, re tymi dhe hiri mbulojnë qiellin
Vullkani më i madh aktiv në Evropë, Etna, ka dhuruar një spektakël këtë të martë për banorët e Katanias në Itali.
Fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar nga ky fenomen natyror. Vullkanologët kishin paralajmëruar edhe më herët për këtë shpërthim të vullkanit ndërsa njoftojnë se ngjarje të këtilla ndodhin disa herë në vit.
Ambientalistët bëjnë me dije se hiri vullkanik shkakton probleme me frymëmarrjen për banorët, ndaj edhe marrin masa sa herë që ka ngjarje të këtilla.
Pas shpërthimit të Etnës, gjithnjë regjistrohen edhe tërmete me magnitudë të vogël në fshatrat e qytezat rrotull.
Vullkanologët bëjnë me dije se Etna shpërthen shpesh për shkak të pozicionit të saj midis pllakave tektonike Afrikane dhe Euroaziatike.
Etna është vullkani më aktiv i Evropës. Ai ndodhet në lartësinë e 3.200 metrave në ishullin mesdhetar të Sicilisë. Dy vullkanet e tjerë aktivë në Itali janë Stromboli dhe Vezuvi.










